Dhuni*i i të miturit në kopësht, procedohet edhe bashkëshorti i edukatores. Kërcënoi babain e 3-vjeçarit

Një ditë pasi policia shpalli në kërkim edukatoren e kopshtit “Gledis”, Rudina Gërdani për shkak se dhunoi një fëmijë 3 vjeçar, ka nisur edhe procedimi për bashkëshortin e saj, 63-vjeçarin me iniciale I.G.

Sipas policisë, ky person ka kërcënuar përmes telefonit babain e të miturit, shtetasin Lorenc Rrapa që të mbyllë çështjen.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 proceduan në gjendje të lirë shtetasin I. G., 63 vjeç (bashkëshorti i shtetases R. G, e shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një të mitur, në kopshtin ku punonte si edukatore).

Procedimi nisi  pasi dyshohet se nëpërmjet telefonit ky shtetas ka kanosur shtetasin L. Rr (babai i të miturit)”, tha policia.

Një ditë më parë, babai i të miturit tha se nuk frikësohet nga kërcënimet që i vijnë.

“Nuk e fal gjakun e fëmijës tim, nuk e fal atë shpullë”, tha ai.

“Unë nuk trembem nga njerëzit e Rudinës.

Unë jam gjithë ditën nga ora 6 e mëngjesit në 6 pasdite në Tiranë.

Mua më gjeni ku të doni. Unë nuk trembem.

Më kanë bërë presion duke më marrë edhe nga shtete europiane. Më marrin edhe miq të mitë.

U kam thënë të mos më marrin më për këtë.

Ata duan të mos e vazhdoj më historinë e Priamit, por unë gjakun e fëmijës tim nuk e shes. Jam shumë… nuk e fal unë gjakun e fëmijës tim, nuk e fal atë shpullë”, u shpreh Lorenc Rrapa.


Shtuar 24.01.2025 16:56