“Metamorfoza”/ Behar Bajri përplaset me prokurorët gjatë seancës: Nuk i dua gazetarët, më kanë paragjykuar

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka nisur seanca për çështjen e njohur si “Metamorfoza”, ku i pandehuri Behar Bajri, ka shprehur kundërshtinë e tij për praninë e gazetarëve në sallë.

Nuk i dua gazetarët, sepse më kanë paragjykuar nëpër televizione. Nuk jam dakord të vazhdojë seanca në praninë e tyre”, deklaroi Bajri gjatë seancës.

Prokurori i SPAK, Arben Kraja, kundërshtoi kërkesën e Bajrit, duke theksuar se nuk ekzistojnë rrethana ligjore për zhvillimin e gjyqit me dyer të mbyllura.

“Nuk jemi përballë rastit dhe parashikimeve ligjore kur gjyqi duhet të zhvillohet me dyer të mbyllura”, u shpreh prokurori Kraja.

Edhe avokati i Behar Bajrit, avokati Elton Hyseni, kërkoi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura pasi ekspozimi i të dhënave të mbrojtjes mund të dëmtojë gjithë procesin.

“Ekspozohen të dhënat e mbrojtjes dhe të organit të akuzës, parashtrimet hyrëse etj., të cilat mund të dëmtojnë procesin e drejtësisë”, tha ai.

Gjykata, duke marrë parasysh kërkesën, vendosi ta rrëzojë atë, duke theksuar se çështja është në fazën e shqyrtimit në themel.

“Jemi në gjykim themeli, dhe nuk ka arsye për zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura”, deklaroi trupi gjykues.


Shtuar 21.01.2025 15:20