Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndau sot disa prej pyetjeve më të shpeshta që bëjnë qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë dhe që duan të regjistrohen në zgjedhjet e 11 majit për votimin me postë nga aty ku banojnë.
Pyetjet e votuesve nga jashtë lidhur me refuzimin e kërkesës për të votuar dhe si duhet vepruar, janë lidhur me refuzimin e aplikimit dhe nëse mund të riaplikojnë, çfarë duhet bërë kur kërkesa është refuzuar, a mund të bëhet një kërkesë e re, pasi është refuzuar e para si dhe deri në çfarë date mund të bëhet kërkesa për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë.
Në përgjigje të këtyre pyetjeve KQZ thekson se, “nëse kërkesa për regjistrim ju është refuzuar, ju mund të riparaqisni kërkesën tuaj në Platformën për Regjistrimin e Zgjedhësve nga Jashtë Vendit deri në datën 04.03.2025. Sigurohuni që të dhënat tuaja të jenë të sakta, adresa juaj duhet të perputhet me adresën e shënuar në dokumentin që provon qëndrimin tuaj jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
KQZ gjithashtu fton qytetarët që të shpërndajnë linkun diaspora.kqz.gov.al që të aplikojnë sa më shpejt të njohurit, miqtë dhe të afërmit e tyre dhe të mos e humbin këtë mundësi unike për të shkruar historinë bashkë.
KQZ gjjthashtu fton qytetarët që të shkarkojnë në celular aplikacionin KQZ për Android dhe IOS, ose të vizitojnë www.kqz.gov.al (rubrika Votues nga Jashtë) për të marrë të gjitha informacionet se si mund të votojnë nga jashtë territorit të Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2025.