Policia e Durrësit brenda 24 orëve, ka finalizuar një tjetër operacion kundër kontrabandimit të sasive shumë të mëdha të naftës, nga Tunizia.
Në kuadër të operacionit “Ari i zi 2”, policia bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasit: Mohammed Sallit, Wissan Broud, Hassan Broud, Sami Shanta, Faez Ismaeil, Nedio Mejdani.
“Operacioni “Ari i zi 2”, sekuestrohen 400 000 litra naftë dhe anija në balastrat e së cilës ishte fshehur kjo sasi, me qëllim kontrabandimin.
Në pranga 6 shtetas dhe në hetim 5, sirianë, egjiptian dhe shqiptar, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes. Shpallen në kërkim 2 organizatorët e dyshuar të rastit.
Dje, gjatë operacionit “Ari i zi”, u sekuestruan 670 000 litra naftë e kontrabanduar me të njëjtën mënyrë, si dhe u identifikuan 10 shtetas të implikuar në rast.
Në vijim të veprimeve policore, me qëllim goditjen e rasteve të kontrabandimit të sasive shumë të mëdhaja të naftës, nga Tunizia, me anije, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Durrës, Antikontrabanda dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Durrës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare e DPPSh-së, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Durrës, Guardia di Finanza Durrës, si dhe Dega e Doganës Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Ari i zi 2”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit sirianë M. S., 56 vjeç, kapiteni i anijes, Ë. B., 42-vjeç, ndihmës i oficerit të parë, H. B., 47-vjeç, shefi i inxhinierëve, S. Sh., 25-vjeç, shefi i ofiçinës, F. I., 23-vjeç, mirëmbajtës i pompave të naftës, si dhe shtetasi shqiptar N. M., 34-vjeç, oficer i parë i anijes.
Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit J. K., 31-vjeç, banues në Tiranë, dhe S. S., 32-vjeç, banues në Durrës. Vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Më tej, gjatë këtij operacioni, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 5 pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit të anijes, përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit.
Nga kontrolli në anije, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjetën 400 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.