Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur ditën e sotme në Vlorë ku humbën jetën 4 pjesëtarët e familjes Gushi.
Teksa i shpreh ngushëllimet familjarëve, Meta kërkon hetim të plotë të ngjarjes dhe i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrin të gjitha masat efektive për të parandaluar të tilla tragjedi.
Reagimi i plotë:
Kam përcjellë me trishtim shumë të thellë lajmin e rëndë të humbjes së familjes Gushi në një aksident tragjik në aksin rrugor Fier-Vlorë.
I bashkohem dhembjes së të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera!
Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur sot të gjithëve.
Duke kërkuar një hetim të plotë, i apeloj Policisë Rrugore dhe çdo strukture tjetër përgjegjëse, të marrin të gjitha masat efektive për të parandaluar të tilla tragjedi, sidomos në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik.
Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të udhëtojnë me shumë kujdes! Shpejtësia vret!