Dy persona kanë mbetur të plagosur pas një atentati me armë zjarri mbrëmjen e sotme në lagjen Çole të Vlorës. Objektivi i atentatit ka qenë 30-vjeçari Kevin Hajrulla, një emër i njohur për policinë, ndërsa ka mbetur i plagosur aksidentalisht edhe Armand Spahiu, një djalë që po shiste fruta dhe perime pranë vendit të ngjarjes.
Sipas dëshmitarëve okularë, momenti pas të shtënave ishte kaotik. Në pamje e bëra publike në media, shihet se si i plagosuri Kevin Hajrulla, i mbuluar me gjak dhe në gjendje të rënduar, futet me vështirësi në një makinë nga të afërmit që përpiqeshin ta transportonin drejt spitalit. Dëgjohet zëri i një personi që thotë: “Iku ore, iku”.
Atentati ka ndodhur në një kryqëzim të populluar të lagjes Çole, ku drejt një automjeti të parkuar, që dyshohet se i përkiste Kevin Hajrullës, u qëllua me breshëri plumbash nga një automjet tjetër në lëvizje.
Pas atentatit, policia ka gjetur një automjet të djegur në fshatin Panaja, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për të realizuar sulmin dhe më pas për t’u larguar.
Forcat e rendit kanë rrethuar vendngjarjen dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e motiveve të atentatit. Pistat kryesore përqendrohen në konfliktet e mëparshme të Kevin Hajrullës, i cili është i njohur për lidhjet e tij me grupe kriminale në zonë.