Kompania koncesionare Integrated Energy BV SPV, e cila është aktualisht nën administrim shtetëror, ka dështuar të depozitojë në Qendrën Kombëtare të Biznesit pasqyrat financiare të vitit 2023, ndërsa nga 10 dhjetori ka një administrator të ri.
Çdo kompani në Shqipëri, publike apo private, është e detyruar që brenda 31 korrikut të depozitojë në Qendrën Kombëtare të Biznesit pasqyrat financiare të vitit paraardhës.
Në rast se nuk e bën, QKB zakonisht refuzon shërbimet për veprime të tjera në regjistër si dhe vendos një gjobë në masën 70 mijë lekë të rinj.
Kjo nuk është ajo që ka ndodhur me atë që është me gjasë sipërmarrja më shqetësuese në vend, kompania Integrated Energy BV SPV, e cila zbaton koncesionin e të ashtuquajturit incinerator të Tiranës, një kompani me të ardhura të sigurta në nivelin e dhjetëramilionë eurove, të cilat paguhen si tarifa të detyrueshme nga bizneset si dhe nga tatimpaguesit, fati i të cilave sot për sot është mister.
Kompania nuk ka depozituar pasqyrat financiare sipas ligjit brenda datës 31 korrik, ndërsa praktika e zakonshme e Qendrës Kombëtare të Biznesit për të refuzuar shërbimet deri në plotësimin e këtij detyrimi ligjor duket se nuk është zbatuar kësaj here pasi në 11 nëntor dhe 10 dhjetor, në regjistër janë depozituar dhe regjistruar dy urdhra, të cilat, fillimisht emëruan një bashkëadministrator me të drejta të plota dhe pastaj hoqën njërin nga administratorët dhe emëruan përfundimisht administrator të vetëm Indrit Karaj.
Kompania Integrated Energy B.V SPV u themelua në vitin 2017 me qëllim që të zbatonte një kontratë koncesionare. Kapitali i saj themeltar ishte 100 mijë lekë. Kompania filloi menjëherë të arkëtojë miliona nga taksapaguesit si dhe nga një skemë e derdhjes me detyrim të dherave të ndërtimit kundrejt tarifave të majme, duke realizuar të ardhura të përgjithshme në nivelin e 10.6 miliardë lekëve për periudhën 2017-2022.
Shumë prej këtyre parave kanë ikur në drejtim të paditur ndërsa një hetim i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, solli vendosjen e kompanisë nën sekuestro preventive në gusht 2023. Niveli më i lartë i të ardhurave u realizua në vitin 2022 me 2.7 miliardë lekë.
Që nga koha e vendosjes në sekuestro e deri më sot, pagesat e buxhetit të shtetit kanë vijuar dhe pagesat e kompanive private gjithashtu, por se ku kanë vajtur këto para nuk dihet për shkak se bilanci nuk është depozituar në QKB sipas detyrimit ligjor.
Situata me projektin tjetër nën sekuestro, incineratorin e Fierit, është edhe më e panjohur për shkak se kompania nuk ka depozituar as bilancet e viteve 2020, 2021 e 2022./Oranews