Artan Hoxha: Rama e përdori Policinë e Shtetit për interesat e tij; priten përgjime me urdhra më të rëndë se “mos i kurseni”

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në studion e News24, foli për protestat e studentëve dhe akuzoi policinë për dhunë ndaj protestuesve. Sipas tij, edhe kryeministri Edi Rama e drejtoi reagimin e forcave të rendit në mënyrë të lidhur me interesat e veta.

Hoxha kritikoi ndërhyrjen e efektivëve civilë dhe përdorimin e automjeteve të paidentifikuara. Ai veçoi repartet Shqiponja, për të cilat tha se nuk kanë përgatitjen e duhur për menaxhimin e protestave dhe se, në disa raste, i kanë shndërruar përplasjet me qytetarët në konflikte personale.

Të lidhura

None found

Sipas gazetarit, protestues të lënduar kishte më shumë se policë të plagosur. Ai shtoi se disa prej qytetarëve të dëmtuar nuk kërkuan ndihmë në spital, pasi kishin frikë se mund të shoqëroheshin nga policia.

Duke iu referuar sjelljes së kryeministrit, Hoxha pretendoi se pas tri ditëve të para Rama ndryshoi qasje dhe e vuri Policinë e Shtetit në shërbim të interesave politike. Ai përmendi gjithashtu një takim të kryeministrit, të cilin e cilësoi si të turpshëm, si dhe pretendoi se policisë iu dhanë 8 mln euro nga taksat e qytetarëve, si shpërblim për veprimet e saj.

Hoxha paralajmëroi se do të publikohen komunikime të plota radiofonike të policisë, ku, sipas tij, ka urdhra më të rëndë se fraza “mos i kurseni”, një pjesë e së cilës është bërë publike. Ai tha gjithashtu se disa njësi nuk iu përgjigjën thirrjes.

“Kishte civilë dhe mjete të paidentifikuara. Veçanërisht repartet Shqiponja, që nuk janë të përgatitura për të përballuar protesta, përdornin dhunë dhe e kthenin përplasjen në konflikt personal; këdo që gjenin në rrugë, e masakronin. Përpiqen edhe me shifra të paraqesin më shumë policë të plagosur se qytetarë, por ne e dimë se të lënduarit ishin kryesisht qytetarë, ndërsa policët ishin të pajisur me skafanda. Një pjesë e mirë e protestuesve të lënduar nuk shkoi në spital nga frika e shoqërimit.

“Pasi e rimblodhi veten gjatë tri ditëve të para, Rama ndoqi një taktikë tjetër dhe zhvilloi atë takim të famshëm, që ishte shumë turpërues. Ai e ktheu policinë në shërbim të interesave të veta, ndonëse ajo është Policia e Shtetit shqiptar, jo e Edi Ramës. Kryeministri, papritur, i kaloi 8 mln euro nga paratë e taksapaguesve dhe ua dha si shpërblim, duke u përcjellë mesazhin të vazhdonin e të qëndronin, sepse ai ishte pas tyre dhe do të shpërblente këdo që i shërbente.

“Presione ka pasur patjetër. Disa njësi nuk iu përgjigjën thirrjes dhe do të publikohen regjistrimet e plota të komunikimeve që kanë bërë në radio, të cilat janë të regjistruara. Deri tani pamë vetëm një fragment, ku thuhej ‘mos i kurseni’; do të dëgjoni komunikime të tjera edhe më të rënda. Kur gjetëm audion e urdhrave të 21 janarit, këto i gjejmë shpejt”, tha Hoxha.