Bashkimi Evropian njofton dërgimin e ndihmave jetike në Siri përmes Turqisë

Komisioni Evropian, ka njoftuar nisjen e një operacioni “ajror” për dërgimin e 50 tonëve ndihma për Sirinë. Pajisjet për kujdes shëndetësor, do të nisen nga magazinat e BE-së në Dubai dhe më pas në Adana të Turqisë dhe nga atje do të dorëzohen në Siri në ditët në vijim.

46 tonë ndihma të tjerado të dërgohen më vonë me kamion nga një rezervë e BE-së në Danimarkë në Adana, për t’u shpërndarë në Siri nga UNICEF dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, raporton Al Jazeera.

Agjencia humanitare e OKB-së, thotë se më shumë se një milion njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë zhvendosur së fundmi në Siri që nga fillimi i ofensivës së opozitës që rrëzoi presidentin Bashar al-Assad.

Shefja e Komisionit Ursula von der Leyen tha se do të “diskutojë më tej dhënien e ndihmës humanitare” kur të udhëtojë në Turqi për t’u takuar me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan të martën.

Regjimi i Assadit, u rrëzua nga grupi Tahrir al-Sham (HTS), pas gati 14 vjetësh luftë civile, si pasojë e së cilës janë vrarë mbi 500.000 njerëz dhe janë zhvendosur miliona tjerë.

Assadi dhe familja e tij janë në Rusi, pas azilit që u është miratuar direkt prej presidentit rus, Vladimir Putin.


Shtuar 13.12.2024 15:51