Një nxënëse theret me thikë në shkollën “8 Marsi” në Pejë

Një incident i rëndë ka ndodhur në shkollën “8 Marsi” në Pejë, ku një nxënëse është therur me thikë nga një bashkëmoshatar.

Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili po ashtu është nxënës i kësaj shkolle, dhe e ka dërguar në mbajtje për 48 orë.

Zëdhënësi i Policisë së Pejës, Fadil Gashi, tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30, kur stafi i shkollës ka njoftuar policinë për incidentin.

“Policia ka dalur në vendin e ngjarjes, e ka arrestuar të dyshuarin dhe viktima është dërguar në emergjencën e spitalit për trajtim mjekësor. Janë shoqëruar në stacion policor dy dëshmitarë, të cilët janë intervistuar. Është konfiskuar mjeti i mprehtë – thika me të cilën dyshohet se është kryer vepra. Prokurori i Shtetit ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orëve për të dyshuarin,” tha Gashi.

Sipas policisë, rasti është cilësuar si “lëndim i lehtë trupor” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll i paautorizuar i armëve.”

Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.


Shtuar 10.12.2024 19:47

Tags: ,