8 dhjetori/ Jorida Tabaku: Rinia shqiptare është thesar i paçmuar, por sot po detyrohet të largohet nga Shqipëria

Në Ditën Kombëtare të Rinisë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka shprehur shqetësimin e saj për situatën e vështirë në të cilën ndodhet rinia shqiptare.

Përmes një video-mesazhi të postuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku ka ngritur zërin për largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria dhe për mungesën e mundësive që ata hasin në vend.

“ Rinia sot është si Shqipëria sot: më e varfër, më e dëshpëruar dhe në ikje. Një e treta e të rinjve janë të papunë, 40% e forcës aktive janë larguar, universitetet po zbrazen dhe shkollat po mbyllen. Sot, rinia nuk po shihet më si promotori i ndryshimit të shoqërisë dhe ekonomisë, ” tha Tabaku.

Deputetja theksoi se rinia shqiptare ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe se të rinjtë tanë kanë treguar sukses në fusha të ndryshme si biznesi, shkenca dhe mjekësia – por, për fat të keq, këto arritje po realizohen jashtë kufijve të Shqipërisë.

“ Dëshira jonë është që ata të kenë mundësi të arrijnë këtu, në Shqipëri, të përfshihen në vendimmarrje, sipërmarrje dhe në të gjitha fushat e jetës. Të rinjtë duhet të jenë forca që ndryshon këtë vend, ashtu siç ndodhi më 8 dhjetor 1990, kur rinia ndryshoi një sistem të tërë me forcën dhe energjinë e tyre”, shtoi Tabaku.

Ajo bëri thirrje për një përfshirje më të madhe të rinisë në proceset vendimmarrëse dhe zhvillimore, duke e konsideruar rininë si një forcë të pashtershme për të ardhmen e Shqipërisë.

“Duhet të kujtojmë çdo ditë që të rinjtë janë forca integrale e këtij vendi. Duhet t’u japim mundësi për t’i përfshirë në çdo proces, që ata të bëjnë ndryshimin dhe ta çojnë Shqipërinë përpara”, përfundoi deputetja.

 

MESAZHI I PLOTË

Rinia sot është si Shqipëria sot: më e varfër, në ikje, e zbrazur nga potenciali i saj më i çmuar. Sot, një e treta e të rinjve janë pa punë, dhe 40% e forcës aktive, kryesisht e përbërë nga të rinj, janë larguar nga vendi. Universitetet janë gjithnjë e më të zbrazura, klasat mbyllen dhe një mungesë e theksuar e shpresës reflektohet në gjendjen e rinisë shqiptare.

Rinia shqiptare ka një potencial të jashtëzakonshëm. Të rinjtë tanë shkëlqejnë në fusha të ndryshme si biznesi, akademia, mjekësia apo shkenca. Por, për fat të keq, suksesin e arrijnë jashtë kufijve të vendit. Shqipëria nuk po arrin t’i mbajë, t’i integrojë dhe t’i përfshijë në proceset vendimmarrëse dhe zhvillimore.

Para 34 vitesh, më 8 dhjetor 1990, të rinjtë ndryshuan sistemin me forcën, energjinë dhe potencialin e tyre të jashtëzakonshëm. Partia Demokratike, forca e parë opozitare, u ndërtua mbi mbështetjen e rinisë dhe e sheh atë ende sot si motor të ndryshimit të vendit. Në këtë Ditë të Rinisë, le të kujtojmë potencialin e pamatë që ka rinia jonë.

Fakti që sot rinia është duke u larguar, duhet të na nxisë të ndryshojmë situatën jo vetëm për brezin aktual, por edhe për brezat që vijnë. Është detyra jonë të krijojmë kushte që të rinjtë të qëndrojnë dhe të kontribuojnë këtu. Shqipëria ka një rini të jashtëzakonshme, një thesar të paçmuar që mund të bëjë ndryshime të mëdha.

Të rinjtë tanë ia dalin kudo, por qëllimi është që ata të shkëlqejnë këtu, në vendin tonë. Ne duhet t’u japim hapësirë në vendimmarrje, në sipërmarrje dhe në çdo fushë tjetër, duke i trajtuar si partnerë të vërtetë dhe jo si dekor politik. Rinia nuk është vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja e vendit.

Në politikë, në ekonomi, në arsim dhe administratë publike, përfshirja e rinisë do të sillte ndryshime rrënjësore. Ne duhet të krijojmë politika që i mbështesin të rinjtë, qoftë përmes fondeve për startup-e, përfshirjes në këshilla lokale e kombëtare, apo mbështetjes së ideve të tyre.

Unë kam një thirrje për të gjithë të rinjtë shqiptarë: bëni diferencën! Ashtu siç keni ndryshuar sistemin 34 vite më parë, mund ta ndryshoni edhe situatën aktuale. Ju jeni shtysa e çdo procesi, duke nisur nga ai politik e deri te integrimi europian. Besoj plotësisht se rinia shqiptare është ndër më të veçantat dhe më të mirat, jo vetëm në rajon, por në të gjithë botën.

Por është detyra jonë t’ju japim mundësinë që ju takon – një mundësi për të ndërtuar një Shqipëri të re, më të drejtë dhe më të zhvilluar. Nuk duhet t’ju kujtojmë vetëm në Ditën e Rinisë, por çdo ditë, sepse ju jeni forca integrale e këtij vendi.


Shtuar 8.12.2024 10:59