“Julian Gjushi u lirua nga Ols Dado”, SPAK përgënjeshtron Berishën: Informacionet, tërësisht të pavërteta dhe s’kanë asnjë lidhje me prokurorin e përmendur

Kryedemokrati Sali Berisha ka denoncuar lirimin e Julian Gjushit, autorit të dyshuar të vrasjes së 50-vjeçarit në Ndroq, pasditen e së dielës.

Sipas një denoncimi, të cilën e ka bërë publik edhe vetë lideri i opozitës, Sali Berisha, thuhet se ish-prokurori i akuzës së kryeqytetit, Ols Dado, aktualisht prokuror pranë SPAK, ka liruar ngaq burgu kunatin e Altin Hajrit, i cili doli në aplikacionin Sky Eç, ku Hajri dhe Jurgis Çyrbja diskutonin për lirimin e tij nga burgu.

Gjoshi, asokohe vetëm 23 vjeç ishte arrestuar nga blutë e kryqytetit, teksa qarkullonte me automjet në gjendje të dehur dhe me armë zjarri me vete dhe 10 fishekë.

Nisur nga ky denoncim i Berishës, Prokuroria e Posaçme ka dalë me një reagim publik.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përgënjeshtron deklaratën e sotme përmes të cilës aludohet se prokurori i posaçëm, Ols Dado “ka liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit”.

“SPAK sqaron se informacionet që janë përmendur në këtë deklaratë janë tërësisht të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me prokurorin e përmendur.

SPAK i bën thirrje mediave dhe opinionit publik të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve të pasakta dhe spekulative.

SPAK apelon për një trajtim të përgjegjshëm dhe të balancuar të informacionit nga ana e përfaqësuesve politikë dhe mediave dhe nënvizon se do të vijojë punën pa asnjë kompromis në ruajtjen e integritetit dhe besueshmërisë së publikut në ushtrimin e funksioneve të tij”, thuhet në reagimin e SPAK-ut.


Shtuar 1.12.2024 22:16