Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar deklaratat e presidentes, Vjosa Osmani, e cila në fjalimin e saj vjetor në Kuvend ndër të tjera tha se nuk mund të luhet bixhoz me partnerët ndërkombëtarë. Kurti është përgjigjur se gjithmonë ka qenë në komunikim edhe me presidenten sa i përket politikës së jashtme.
“Unë vazhdimisht kam qenë në komunikim, bashkërendim me presidenten Osmani, kryeparlamentarin Konjufca dhe ministren Gërvalla sa i përket politikes së jashtme. Të arriturat i kemi të përbashkëta dhe kësisoj duhet të vazhdohet. Të gjitha vështirësitë, sfidat nuk ka të tilla që nuk i tejkalojmë. Besoj që kurrë nuk ka qenë veriu më i sigurt se tani”, ka thënë ai nga Podujeva të premten ku u vu gurthemeli i tri projekteve.
Osmani ka kërkuar më shumë punë dhe angazhim për t’i ruajtur aleancat me partnerët, në fjalimin më 21 nëntor. Fjalimin e saj e bojkotuan deputetët e PDK-së e AAK-së, me arsyetimin se Osmani si presidente nuk e luajti rolin që i përket
“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm dhe asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Rëndësia dhe forcimi i aleancave është i paçmueshëm. Dobësimi i aleancave është gabimi strategjik. Aleanca me ata që na ndihmuan ta kemi shtetin nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj që forca më e madhe e jonë qëndron te partneritetet. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik dhe luajtja bixhoz me to e cenon vetëmbrojtjen e Republikës sonë. Nuk i kam kuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, as keqpërdorimet e emrave të tyre për të fituar pushtet, as njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Duhet shumë punë dhe angazhim për t’i ruajtur aleancat me partnerët”, pati thënë ajo.