Kryebashkiaku socialist i Himarës, Vangjel Tavo ka kujtuar sot ditën e kobshme të një viti më parë kur mediat maqedonase raportuan për një aksident të rëndë rrugor që i mori jetën vajzës së tij, Eva Tavo.
“Sot, një vit më parë, Eva e bukur, vajza ime, shpirti i dlirë i kësaj bote, qenia me zemrën e madhe e të mbushur plot dashuri për jetën dhe njerëzit, shkoi të flinte me engjëjt!
Na mungon shumë Eva. Na mungon në çdo frymëmarrje! Janë kujtimet e tua dhe dashuria jote e pashtershme që na japin forcë të ecim përpara e të shërbejmë sa mundemi, siç bëre ti. Sepse ti ishe frymëzimi, dashuria dhe vetë jeta”, shkruan Vangjel Tavo.
Eva (Evanthia) Tavo, vajza e politikanit të njohur Vangjel Tavo ka ndërruar jetë më 28 Nëntor 2023 në Maqedoninë e Veriut si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor. Ajo ishte pasagjere në një mjet tip “Audi” që po lëvizte në autostradën “Nënë Tereza” me drejtim nga Tetova për në Shkup.
Fatkeqësisht, në fshatin Llaskarcë makina ka dalë nga rruga dhe vajza e politikanit Vangjel Tavo ndërroi jetë në vend. Kjo është konstatuar nga mbërritja e ekipeve mjekësore, të cilët kanë bërë me dije se 24 vjeçarja kishte humbur jetën menjëherë nga plagët e marra.
Eva Tavo u shua në kulmin e rinisë, në moshën 24 vjeçare. Lajmi i trishtë që raportuan mediat por dhe vetë babai i saj, la pa fjalë miq, familjarë dhe të gjitha ata që e njihnin Evën. Sot, një vit më pas, dhimbja e familjes nga mungesa e saj është edhe më e madhe.