Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që u zbulua një ditë më parë në fshatin Sheqeras të Maliqit, ku një 16-vjeçare dyshohet se është abuzuar prej 4 vitesh nga shoku i babait të saj.
Burime për mediat bëjnë me dije se sipas përgjigjes së mjekësisë ligjore rezulton se ndaj 16-vjeçares është kryer penetrim. Tashmë akti mjekoligjor i ka kaluar grupit hetmor, ndërsa autori i dyshuar, 43-vjeçari Edison Sheme është zhdukur në drejtim të paditur, duke iu shmangur përgjegjësisë ligjore.
Sakaq, motra e të miturës ka folur për mediat dhe ka rrëfyer historinë e abuzimit që kishte pësuar e motra për katër vite rresht nga 43-vjeçari, i cili ishte mik i babait të tyre.
Në dëshminë e saj, ajo thotë se abuzimin e zbuloi rastësisht përmes disa letrave që 43 vjeçari i dërgonte të motrës. Sipas dëshmisë së motrës, e cila u bë publike pas vitesh heshtje, letra përmbanin detaje të qarta të abuzimit, madje kishte fragmente ku autori i premtonte të miturës së do e merrte për grua pasi të mbushte 18 vjeç.
“Mbaj mend që e kam mësuar rreth vitit 2021 këtë histori. Në atë moment u shokova, nuk po e besoja dot,” – rrëfen ajo.
Pas zbulimit të ngjarjes, abuzuesi i dyshuar është larguar nga zona dhe ende nuk dihet vendndodhja e tij. Prokuroria ka marrë letrat si provë për hetimet, ndërsa psikologët po punojnë me të miturën për të kapërcyer traumën.
Pjesë nga deklarata e motrës:
Ngjarjen e motrës time e kam mësuar nga disa letra që ai i shkruante motrës time. Atje thuhej dmth që kishin kryer marrëdhënie, si takoheshin bashkë, dhe disa gjëra të tjera. Mbaj mend që e kam mësuar rreth vitit 2021 këtë histori. Në atë moment u shokova, nuk po e besoja dot. Po lexoja letrën dhe nuk dija se çfarë të bëja. Të them të drejtën, ishin goxha çfarë shkruheshin aty, por në ato që shkruante, thoshte që pasi të mbushësh 18 vjeç unë do të të marr dhe do të jetojmë bashkë. Nuk është se unë e ruajta kaq gjatë, mendova se thjesht u mbyll, po e shikoja që nuk po takoheshin, nuk po flisnin dhe mendova se ishte mbyllur si gjë.
Pastaj, veç një ditë kur më thotë babi “Shiko se më kanë thënë të fshatit”, mendova se është shumë keq gjendja dhe…
Ai ka qenë shoku i babit tim dhe vinte ndonjëherë këtu në stallë, përveç kësaj vinte merrte qumësht herë pas here tek ne. Të gjitha letrat i ka marrë prokuroria, kjo është prova e vetme që ne kemi dhe prova tjetër nuk ka ku të shkojë më, sepse ai u arratis. E tregon shumë haptazi që unë e kam kryer këtë vepër dhe jam larguar. Se po të ishte që nuk do ta kishte bërë, do kishte qëndruar si burrë dhe do ishte përballur.
Motra ime është shumë keq, të gjithë si familje jemi shumë keq. Ka ardhur psikologu dhe ka folur me motrën dhe ndjehet që ende ka nevojë për atë. Motra nuk më ka thënë asnjë gjë se ku takoheshin, sepse ai i thoshte mos i thuaj askujt. Këtë e kam marrë vesh vetëm tek deklarata që motra ka dhënë para policisë.