Uniformat blu në Tiranë, kanë zbardhur ngjarjen e 3 shtatorit në “Don Bosko”, ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi.
Burime bëjnë me dije se është shpallur në kërkim me vendim gjykate “arrest në burg” njëri prej autorëve, i konfirmuar me prova.
“Në vijim të njoftimit për ngjarjen e datës 03.09.2024, në një lokal afër xhamisë në Don Bosko, ku u plagosën me armë zjarri shtetasit K. E. dhe R. M., ju informojmë si më poshtë:
Për hetimin e kësaj ngjarjeje kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer në vijimësi të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me iniciativë apo të urdhëruara nga prokurori.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, analizimit, vlerësimit të rrethanave dhe fakteve, dhe provave shkresore, grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2706, datë 22.10.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit Denis Tahiri, 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuara nga nenet 79, dh/ 22/ 25, dhe 278/1 të Kodit Penal.
Vazhdojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar”, njofton policia.
Dy të plagosurit, Ronaldo Metushi dhe Kastriot Elezaj, po pinin kafe në momentin e ngjarjes. Ronaldo Metushi ka marrë plumb në këmb, ndërsa Kastriot Elezaj në gjoks.
Në dëshminë e tyre ata kanë mohuar të kenë patur konflikte me persona të tjerë gjatë kohëve të fundit.
Megjithatë, grupi hetimor ka dyshime se objektiv i sulmit ishte 45-vjeçari Elezaj, për shkak të konflikteve që mund të ketë patur nga e kaluara. Më herët ai ka qenë i dënuar për prostitucion në Itali, krim për të cilin ka vuajtur edhe dënimin në vendin fqinj.
Asnjëri prej të plagosurve nuk ruhej dhe nuk kishte frikën e një atentati të mundshëm. Sipas dëshmisë së tyre, lëvizjet nëpër Tiranë i kishin normale dhe të përditshme.