Kurti: Bashkë do të sigurojmë që Kosova të jetë një vend më i banueshëm dhe i sigurt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova, përgjatë viteve të fundit, ka bërë progres të madh përpara në tranzicionin energjetik e agjendën klimatike duke treguar vizionin e angazhimin e madh për një të ardhme të qëndrueshme.

“Krahas përkrahjes institucionale, kryeministri Kurti, foli edhe për investimet në ndërtimin e kapaciteteve të ripërtëritshme, ku me këtë rast theksoi se është planifikuar ndërtimi i 950 megavatëve të energjisë së ripërtëritshme përmes projekteve konkurruese. Ai veçoi organizimin e ankandin e  energjisë diellore me kapacitet prej 100 MË, si shembull suksesi, dhe shtoi se të njëjtin sukses e presin për projektet konkurruese për 150 MË të erës”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se edhe pse Kosova nuk është anëtare e Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNF), kryeministri tregoi se janë ndërmarrë veprime konkrete për të kontribuar në përpjekjet globale për klimën përmes Kontributit Kombëtar të Përcaktuar vullnetar (NDC). Në këtë drejtim, qëllimi kryesor është të reduktojmë 8.95 milionë tonë dioksid karboni ekuivalent deri në vitin 2030, që përfaqëson një ulje prej 16.3% krahasuar me nivelet e emetimeve të vitit 2016.

Në hapjen e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës, kryeministri potencoi se një ndër projektet më inovative në rajon, e më gjerë, është Solar4Kosovo përmes të cilit do të sigurohet ngrohje qendrore prej energjisë diellore për 60,000 qytetarë, dhe 100 MË të energjisë diellore për KEK-un duke e bërë atë pjesë të tranzicionit të gjelbër.

Tutje, kryeministri theksoi se në mars të këtij viti, ministrat Rizvanolli dhe Aliu, dhe ministrja e shtetit për Evropë dhe Klimë të Gjermanisë, Ana Lurhman, e cila ishte e pranishme edhe sot në hapjen e Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm, nënshkruan Partneritetin Klimatik dhe të Tranzicionit të Energjisë.

“Një marrëveshje kjo bilaterale e cila do të fuqizojë më tej objektivat e përbashkëta në këto fusha dhe përkrahjen e shtetit gjerman në fushën e energjisë”, thuhet në komunikatë.


Shtuar 16.09.2024 23:12

Tags: ,