Kroacia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak, dy muaj trajnim! Nis nga 1 Janari 2025, shkak tensionet e rritura në Europë dhe lufta Rusi-Ukrainë

Zagreb- Tensionet në rritje në Europë dhe gara e armatimeve, po shtyjnë Zagrebin të forcojë kontigjentin e tij ushtarak. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak u eliminua në vitin 2008, por tashmë autoritetet po e rikthejnë.

Bëhet fjalë për një “mini-rekrutim” dy muajsh, duke filluar nga janari i vitit 2025. Kështu ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes i Zagrebit, sipas raportimit nga “Tg1”.

“Do të zgjasë dy muaj, do të fillojë më 1 janar 2025 dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që kemi komunikuar me publikun”, tha ministri Ivan Anusic, për televizionin RTL.

Masa vjen në mes të tensionit të rritur në Europë, pas agresionit rus në Ukrainë, si dhe një gare të dukshme armatimi dhe ngritje ushtarake në Ballkan.

Vendimi shënon rikthimin në rekrutim, i pezulluar në vitin 2008 kur vendi kaloi në një sistem të bazuar në vullnetarizëm.

“Ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve u kemi rritur pagat, të drejtat materiale jo vetëm nga të ardhurat personale, por edhe nga rroga ditore dhe gjithçka që u takon”, tha ministri.

Teksa shtoi më tej:

“Modernizimi dhe pajisja e Forcave të Armatosura po ecën sipas planit dhe në përputhje me marrëveshjen me aleatët tanë dhe udhëheqjen e NATO-s”, theksoi ai, duke shtuar se nuk do të ketë kursime fondesh në këtë fushë.

Serbia, rivalja kryesore e Kroacisë në Ballkan, po shqyrton gjithashtu riaktivizimin e shërbimit ushtarak.

Edhe vende të tjera evropiane po shqyrtojnë masa të ngjashme, ose kanë rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në përgjigje të tensioneve të rritura rajonale.

Vitin e kaluar, Letonia rivendosi draftin ushtarak në përgjigje të kërcënimit të paraqitur nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës, nga Rusia.


Shtuar 17.08.2024 09:38