Skandali me tenderimin e Tunelit të Llogarasë, konfirmohen akuzat e Ahmetaj

Të ardhurat e kompanisë turke e cila fitoi mes procedurash të dyshimta tenderin për ndërtimin e tunelit të llogarasë, kanë konfirmuar akuzat e ngritura nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, e cili në emisionin Çim Peka Live e cilësoi këtë tunel si aferë të pastër korruptive. Të dhënat nga bilanci i kompanisë tregojnë se vetëm në vitin 2023, kompania turke raportoi fitime prej 12 milion eurosh, megjithëse nuk ishte angazhuar fare në ndërtimin e tunelit pasi punimet u kryen me nënkontraktor nga ana e kompanisë Gjoka Konstruksion. Pas deklaratave të Ahmetajt Syri TV siguroi provat e takimit në Ankara të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut me përfaqësuesit e kompanisë turke dhe pak javë pas takimit ata u shpallën fitues të tenderit të dytë megjithëse ofruan 50 milion euro më shumë se kompania Gjoka.

***
Kompania turke INTEKAR ASL, që fitoi mes procedurash të dyshimta garën për ndërtimin e Tunelit të Llogorasë, raportoi fitime prej 12 milionë eurosh vetëm për vitin 2023.

Të dhënat nga bilanci i kompanisë, të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të cilat janë siguruar nga Syri Televizion, tregojnë se në vitin 2023 të ardhurat e kompanisë, që ishin pagesa nga buxheti i shtetit, arritën në rreth 70 milion euro, teksa norma e fitimit të kompanisë rezultoi 17,3% gati sa dyfishi i normës mesatare të fitimit që gjeneroi ekonomia shqiptare për vitin 2022.

Kompania turke siguroi norma të larta fitimi pa u angazhuar në ndërtimin e tunelit, pasi punimet u realizuan me nënkontraktor, nga kompania Gjoka Konstruksion, e cila ka marrë pjesë në tenderin për ndërtimin e objektit, duke ofruar ofertë shumë më të ulët se kompania turke, por që ishte skualifikuar.

Këto të dhëna konfirmojnë akuzat e ngritura nga ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj në emisionin Çim Peka Live, i cili e cilësoi tunelin e llogarasë aferë të pastër korruptive. Ahmetaj deklaroi se kompania turke u shpall fituese pavarësisht se kishte ofruar 50 milion euro më shumë se kompania Gjoka Konstruksion.

Pas deklaratave të Ahmetaj Syri TV arriti të sigurojë provat e takimit në Ankara, ku u finalizua edhe kjo aferë. Siç e shihni edhe nga fotot në takimin e zhvilluar në kryeqytetin turk me përfaqësuesit e kompanisë merrnin pjesë Kryeministri Rama, Ministrja përgjegjëse për infrastrukturën Belinda Balluku dhe vetë ish-zvkryeministri Ahmetaj. Syri TV mësoi se ky takim u zhvillua pak para se të anulohej tenderi i parë dhe të çelej tenderi i dyti për ti dhënë kompanisë turke këtë fond. Pak javë pas këtij takimi, kompania turke do të rezultonte fituese e tenderit për ndërtimin e tunelit.

Këtu afera thellohet edhe më tej, pasi kompania turke, nuk sjell asnjë mjet apo punonjës në Shqipëri dhe për ndërtimin e tunelit merr si nënkontrakton kompaninë Gjoka, e cila më herët kishte ofruar 50 milionë euro më pak për ndërtimin e të njëjtës vepër. Pra në të gjithë këtë operacion, miqtë turq të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut marrin 50 milionë euro pas takimit në Ankara, ndërsa punimet kryhen nga kompania Gjoka, e cila nëse nuk do ishte skualifikuar në tenderat e parë do i kishte kursyer taksapaguesve shqiptarë 50 milionë euro.

Referuar të dhënave zyrtare gjatë periudhës 2021-2023, INTEKAR ASL realizoi fitime në vlerën e 22,5 miliardë lekëve ose 22 milionë euro. Pagesat për ndërtimin e tunelit kanë vazhduar edhe këtë vit, teksa objekti u çel për trafikun në fillim të sezonit të verës 2024. /syritv