Rivlerësimi i pasurive nis në shtator, qeveria ndryshon variantin e parë të tarifës 3%. Ja sa do paguajnë qytetarët

Nisma për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me normën 5% është votuar pa kundërshtime në Komisionin përgjegjës të Ekonomisë nga mazhoranca dhe opozita.

Edhe pse e depozituar që në maj, nisma arriti të marrë dritën jeshile përpara mbylljes së punimeve plenare, ndërsa votimi në seancë plenare sipas deputetëve pritet të bëhet në shtator.

“Mendoj se ishte e rëndësishme që ta rimerrnim këtë nisëm pasi sikundër jemi vënë në dijeni në bashkinë Tiranë dhe një nga zonat ku numri ka qenë më i lartë i ndërtimeve apo ndryshimeve të çmimeve të referencës ka bërë që të ketë patur një ndryshim të madh mes çmimit të referencës dhe vlerës që qytetarët kanë pasur të banesës së tyre ndër vite”, tha Blerina Gjylameti.

Në ndryshim nga drafti fillestar, norma e rivlerësimit për pasuritë e paluajtshme të qytetarëve dhe bizneseve do të bëhet me normën 5% dhe jo 3%, si dhe do të jetë e fundit që bëhet sipas socialistëve. Në lidhje me normën pati debate mes deputetëve që kërkuan të jetë më e ulët

Frrok Gjini: Do kërkoja nga komisioni që taksa të mbetet në nivelin 3%, arsyeja e qartë sepse në këtë nivel do ketë më shumë të ardhura në buxhet, sepse me 5% njerëzit do tkurren”.

Edmond Spaho: Unë do ta dërgoja dhe më tutje propozimin e kolegut dhe do propozoja që normën ta ulnim fare në 2%.

Erion Braçe: Nga 15% – 5% është një favor i madh që bëhet. Tani kjo historia nga 15% ta bëjmë 4 edhe 0 nuk bën sens. Aaa po, bën sense që ne të bëjmë një diferencim mes shtëpisë së parë dhe të dytë, të tretë, të pestë.”

Me ligjin e miratuar të drejtë rivlerësimi do të kenë edhe objektet në proces legalizimi. Tregu i pasurive të paluajtshme ka pësuar një ngërç në muajt e parë të këtij viti siç tregojnë edhe të dhënat e PBB-së, pasi aktualisht qytetarët detyrohen të paguajnë një normë tatim-fitimi 15% për diferencën mes çmimit të blerjes dhe shitjes. /tch/


Shtuar 19.07.2024 23:57