Policia e Vlorës ka vënë diten e sotme në pranga një 63-vjeçar, i cili transportonte me kamionë mallra kontrabandë. Gjatë kontrolleve të kryera rezultoi se i arrestuari transportonte për llogari të një biznesi materiale sasi të mëdha produktesh ushqimore dhe detergjentë.
Si pasojë, policia ka shpallur në kërkim pronarin e biznesit në llogari të së cilit transportoheshin këto mallra kontrabandë.
Po ashtu, në pranga kanë rënë edhe 2 punonjës të Degës Doganore Qafë Botë, pasi akuzohen për shpërdorim detyre, si dhe është shpallur në kërkim një i tretë.
“U vunë në pranga shtetasi N. G., 63 vjeç, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, shtetasja A. A., 54 vjeçe, me detyrë doganiere në Degën Doganore Qafë Botë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe shtetasi A. V., 49 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në Degën Doganore Qafë Botë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
– U shpall në kërkim shtetasi A. M., 52 vjeç, administrator biznesi, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
– U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin E. A., 43 vjeç, me detyrë agjent në Degën Doganore Qafë Botë”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.