Cristiano Ronaldo raportohet se ka marrë përsipër rolin e “drejtorit sportiv” tek Al Nassr, teksa ka telefonuar dy ish-bashkëlojtarë të tij tek Real Madridi për t’iu bashkuar në Arabi.
Kjo besohet se ka ndodhur pasi Al Nassr ka humbur në finalen e Superkupës së Arabisë ndaj Al Hilalit, gjë që ka detyruar portugezin të telefonojë Nacho Fernandez dhe Casemiron, në përpjekje për t’i bindur ata që të transferohen në Lindjen e Mesme.
E ardhmja e të dy lojtarëve në klubet respektive mbetet e pasigurt dhe Marca ka raportuar se Ronaldo personalisht po përpiqet që t’i bind ata që të transferohen në Superligën e Arabisë.
Ronaldo tregoi shumë emocione kur shpërtheu në lot pasi ekipi i tij u mposht nga Al Hilali gjatë kësaj jave, pasi humbja në finale të Kupës, bëri që ata ta përfundojnë sezonin pa trofe të fituar.
39-vjeçari beson se e vetmja rrugë për t’u rikthyer tek trofetë sezonin e ardhshëm është që të nënshkruhen lojtarë me përvojë dhe që e dinë se si fitohen trofetë.
Nacho e udhëhoqi Real Madridin si kapiten drejt fitimit të titullit të 15-të të Ligës së Kampionëve, që ishte trofeu i gjashtë i tij personal.
Teksa Nacho po i afrohet fundit të kontratës së tij në ‘Santiago Bernabeu’, duket se largimi i tij nga Madridi është i pashmangshëm, por ai është lidhur fortë me një kalim në MLS, diçka që mund të prishë planet e Ronaldos për ta transferuar atë në Riad.
Casemiro mund të jetë lojtari i cili mund të pranojë kalimin në Arabi, duke marrë parasysh formën e tij të dobët për Manchester United këtë sezon. /Telegrafi/