Bardhi: 13 fitues te magjistratura në listën e patronazhistëve të Partisë Socialiste

Sipas opozitës, procedura problematike në Shkollën e Magjistraturës, mund të jetë e qëllimshme ku ka hedhur dyshime se Partia Socialiste, po nxit prurjet e militantëve të saj në mënyrë që nesër të kapë vendet bosh në sistemin e drejtësisë.

Në mbledhjen e komisionit të ligjeve, deputeti Gazment Bardhi, tha se kishte bërë një verifikim të emrave, nga i cili kishin rezultuar se 13 prej “fituesve” ishin patronazhistë të Partisë Socialiste.

Për këtë, Bardhi kërkoi thirrjen në Komisionin e Ligjeve të drejtorit të shkollës, Arben Rakipi, një kërkesë që u kundërshtua nga deputetët socialistë.

Ju keni një problem Majko që listën e patronazhistëve e keni publike, mjafton të gugëllosh emrat dhe po të deklaroj që një pjesë e tyre, 13 persona janë në listën e patronazhistëve të PS. A mund të jenë me meritë në atë proces? Patjetër që mund të jenë, nuk dua t’i paragjykoj. Fakti që është patronazhist nuk do të thotë që nuk meriton të ketë karrierë, patjetër që meriton.

Futja e patronazhistëve në shkollën e magjistraturës është ndërhyrje flagrante e politikës në drejtësi. Por po e mbaj tek parimi.

Nuk dua ta politizoj, por për mua është shumë me interes që konkursi i shkollës së magjistraturës praktikisht garanton sistemin për 20 apo 30 vitet në vijim të mos ketë asnjë hije dyshimi. Dhe kam të drejtën si deputet që të kërkojmë në një seancë dëgjimore një drejtues të institucionit shtetëror në rastin konkret drejtorin e Shkollës së Magjistraturës për të na informuar për aq sa e lejon ligji.

Nuk po bëj përgjegjës askënd por kemi të drejtë të informohemi çfarë ka ndodhur me konkursin e magjistraturës. 13 persona janë në listë ne patronazhistëve të PS” u shpreh Bardhi.

Provimi për në shkollën e magjistraturës u anulua dy herë brenda ditës. Përveç kësaj numri i fituesve u shtua nga 79 u bë 121 dhe në orët e pasdites shkoi në 131 persona.

Pas këtyre zhvillimeve, është mbledhur Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, që sqaro se provimi u shty “nga pamundësia objektive dhe tërësisht teknike, për të shpallur menjëherë, pas vlerësimit elektronik me anë të pajisjes scantron, të listës së fituesve të fazës së parë të provimit të pranimit”.


Shtuar 29.04.2024 14:09