Përmes një postimi në rrjetet sociale, gazetari Enton Abilekaj, shprehet se kryebashkiaku Erion Veliaj, ka marrë fletëthirrje nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sa i përket çështjes së Inceneratorit të Tiranës.
Abilekaj, tregon se Veliaj do të shkojë pranë ambienteve të SPAK ditën e martë, pasi është thirrur nga organi i akuzës, e jo ashtu si dhe ai pohon se është vendosur vetë në dispozicion të tyre dhe se do të shkojë vullnetarisht.
“Kjo eshte e frikshme, pasi mori fletethirrjen nga SPAK qe te shkoje te marten, Veliaj del 3 dite perpara dhe deklaron qe do shkoje vete. Do u jape edhe zyra, edhe info, dosje, pra do behet vete prokuror i çeshtjes se Inceneratoreve”, shkruan Abilekaj.
Diten e djeshme, në një intervistë për Report TV, vetëm tre ditë para se të shkojë në Prokurori, Veliaj tha se është treguar bashkëpunues me SPAK-un, qoftë për t’i ndihmuar me mbarëvajtjen e punës së tyre të përditshme, qoftë për çështje të dokumentacionit të nevojshëm për hetimet.
Veliaj tha se në ditët në vijim, do të dorëzojë vetë në SPAK dosjen me informacione për të gjitha çështjet.
Pak muaj më parë, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, e quajti kreun e bashkisë Erion Veliaj, “pronari faktik i inceneratorit” të Tiranës. Ndërkohë disa drejtorë të bashkisë janë në burg apo në arrest shtëpiak, pas zbulimit të aferës me inceneratorin që nuk ekziston dhe atë të kompanisë “5D” që merrte vetë tenderat e bashkisë dhe është e përfshirë në projekte të dyshimta të ndërtimit të hoteleve në zonat bregdetare.