Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi ka komentuar sulmin që kryeministri Edi Rama i ka bërë televizionit italian RAI 3 për reportazhin e publikuar disa ditë më parë. Me anë të një postimi në Facebook, Bardhi shkruan se Rama nuk ka bërë asgjë më shumë sesa bën me median në Shqipëri.
Postimi i Plotë:
Edi Rama nuk ka bërë asgjë më shumë sesa bën me median në Shqipëri. Ditën kur u denoncua me dokumente dyshimi për përfshirjen e Olsi Ramës në Laboratorin e Xibrakës, gazetarët profesionistë raportuan për ndërhyrje të drejtëpërdrejta të Edi Ramës ndaj drejtuesve të medias për të fshirë lajmin.
Reagimi i sotëm i komisionit përgjegjës në Senatin Italian, që e quan telefonatën ndaj Rai 3 si ndërhyrje e papranueshme në lirinë e medias, nxjerr në pah heshtjen skandaloze të Komisionit tonë të Medias, që po ligjëron si normale ndërhyrjet alla–Putin të Edi Ramës ndaj medias.
Heshtja është neglizhencë e pafalshme që turpëron Kuvendin e Shqipërisë. Edhe gjuha e Edi Ramës ndaj medias në Shqipëri që transmetuan me korrektësi investigimin e Rai 3 është e papranueshme dhe skandaloze, siç evidenton edhe Safe Journalists. Komisioni i Medias duhet të mblidhet me urgjencë, për të dënuar sjelljen e papranueshme të Edi Ramës ndaj medias, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore në mbrojtje të lirisë së medias.