Berisha: Rama e ka të qartë se pushteti i tij do të marrë fund

Ish kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij është shprehur se, Edi Rama e ka të qartë se nuk ka më të ardhme.

Berisha tha se, Rama e ka të qartë se pushteti i tij do të marrë fund.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, luftëtarëve të pamposhtur të lirisë, dinjitetit dhe shpresës.

Nderimin më të madh për ju, nderimin më të madh për të gjithë ata burra, gra, djem dhe vajza, të cilët çdo natë nga kjo platformë përcjellin mesazhe guximi, mesazhe shprese.

Përcjellin të vërteta tek mbarë shqiptarët.

Një thirrje kam sonte për mbarë qytetarët e këtij vendi: krahasoni ju lutem fjalimet e këtyre zonjave, këtyre zotërinjve, këtyre vajzave dhe djemve nga parlamenti i lirisë me daljet e ministreve, ministrave, deputeteve, deputetëve, zyrtarëve të Edi Ramës, të cilët kontrastojnë, ndryshojnë si drita me terrin, si e vërteta me gënjeshtrën njëra me tjetrën.

Imagjinoni qytetarët e lirë, dinjitozë, guximtarë, vijnë këtu dhe ju thonë ju të dashur qytetarë dhe qytetarë, të vërtetat më të hidhur, vjedhjet më të mëdha, krimet më të shëmtuara, mashtrimet më monstruoze, arbitraritetin më të madh të regjimit që bazohet në aleancën e pushtetit me krimin, vjedhjen dhe drogën.

Krahasoni pak me kampin tjetër, me krahun tjetër, çdo ditë skandale të tmerrshme.

Çdo ditë vjedhje pas vjedhje.

Çdo ditë, vrasje, therje, plagosje.

Çdo ditë, fshehje të të vërtetave.

Hidhni sytë në studiot televizive, a i shikoni kund ministreshat apo deputetët e Edi Ramës?

A i shikoni kund ministrat apo deputetët e Edi Ramës?

Jo, absolutisht, nuk dalin dot. Edhe kur dalin, ndodh tepër rrallë.

Koten, dremiten në studio sepse e e dinë që çdo fjalë që do lëshojnë është gënjeshtër.

Sepse e dinë se çdo gjë që do thonë në studio është mashtrim.

Sepse e dinë se gazetarët mund t’i bëjnë të dalin nga studiot për aferat që kanë kryer, për vjedhjet, për keqpërdorimin e pushtetit.

U ndala në këtë analizë të domosdoshme. Këtu çdo natë denoncohet mashtrimi i tmerrshëm që u bëhet shqiptarëve.

Çdo natë denoncohen vjedhjet e mëdha që u bëhen qytetarëve të vendit në taksa, në dogana, në prona publike.

Çdo natë, vjedhje e pasurive kombëtare.

Kurse krahu tjetër hesht si fija e barit. Mban të bllokuar parlamentin, braktis studiot televizive nuk dërgojnë njeri.

Dhe kur dalin, marrin rol gazetari. Flasin sikur të jenë gazetarë kronike, një profesion të cilin gazetarët e bëjnë 100 herë më mirë.

Të gjitha këto tregojnë tmerrin, frikën e madhe që kanë ata nga ju, që kanë nga opozita.

Këto tregojnë se Edi Rama e ka të qartë përfundimisht se të ardhme nuk ka.

E ka të qartë se pushteti i tij do të marrë fund.

Edi Rama e ka më të qartë se kushdo tjetër se ai nuk ka një koleg të dytë në Europë, që të ketë kryer krimet e tij.

Se ai nuk ka një koleg të dytë në Europë që të ketë firmosur vjedhjet e tij.

Se nuk ka një koleg të dytë në Europë që të ketë mashtruar qytetarët e tij.

Dhe nuk ka një të dytë në Europë, përveç Lukashenkos, që të bllokojë rotacionin duke vjedhur votën.

Të qëndrojë në pushtet me forcën e krimit, të korrupsionit, të blerjes së votës, të policisë politike elektorale.


Shtuar 13.03.2024 20:13