Sot anija spanjolle e cila do të transportojë 150 tonë ndihma humanitare në Gaza pritet të niset nga porti i Larnakës në Qipro.
Ditën e djeshme janë kryer kontrollet e nevojshme të sigurisë, por për arsye sigurie nuk është bërë e ditur ora e saktë e nisjes.
Dje, zëdhënësi i qeverisë qipriote, Constantinos Letymiotis deklaroi se “largimi i ngarkesës në përputhje me veprimet e organizatës që kryen misionin” pritej të bëhej brenda orëve në vijim, por nuk komunikohet ora e saktë e nisjes.
Ai shtoi se “ zbatimi i aplikimit pilot të nismës Amalthea është duke u zhvilluar sipas planit origjinal dhe në konsultim formal me Izraelin. Kontrolli i nevojshëm i ngarkesës është kryer tashmë nga autoritetet e Republikës së Qipros në përputhje me të gjitha protokollet e përfshira në planifikim”, tha Letympiotis.
Ai gjithashtu vuri në dukje se Republika e Qipros “është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë partnerët e përfshirë me qëllimin për të arritur një kalim të besueshëm dhe pa pengesa të ndihmave humanitare për popullsinë civile të Gazës”.
Ndërkohë që sot pritet të ngarkohet një anije e dytë me ndihma për Gazën.
Në të njëjtën kohë do të nisë një fluks i vazhdueshëm ndihmash të të gjitha llojeve për civilët, të cilët do të mbërrijnë në Qipro me anije dhe avionë nga vende të ndryshme dhe pas kontrolleve do të kanalizohen në Gaza.
Një rol të rëndësishëm luajnë SHBA -të, të cilat do të sigurojnë lundrimin pa probleme të anijeve.