Xhaferaj për zgjedhjet në PD: Kemi një garë të vërtetë, anëtarësia solidare me ç’ka thotë Basha për vjedhjen e zgjedhjeve

Kreu i PD-së së Durrësit, Ferdinand Xhaferaj e cilësoi një ngjarje te rendësishme për demokracinë shqiptare faktin se brenda Partisë Demokratike është duke u realizuar një garë e vërtetë për kreun e saj.

I ftuar në “Breaking” të Top News, Xhaferaj theksoi se ka kohë që në Shqipëri nuk vërehen gara të tilla me standarde, ku kandidatë me eksperienca të ndryshme synojnë të marrin drejtimin e partisë.

“Është nga rastet e para ku të gjithë, edhe ata që janë pro apo kundër PD-së, pranojnë se ka një garë të vërtetë për kreun e partisë. Kemi të bëjmë me katër kandidatë që vijnë nga background-e të ndryshme dhe hapja e partisë është një vlerë që PD ofron për demokracinë shqiptare”, tha Xhaferaj duke shtuar nga e gjithë kjo, ata që përfitojnë janë pikërisht anëtarët e PD-së.

I pyetur në lidhje me ecurinë e garës, Xhaferaj theksoi se i ka pritur në Durrës të katërt kandidatët, ku Lulzim Basha sipas tij ishte ai që e zhvilloi takimin në Pallatin e Kulturës për shkak të pjesëmarrjes së madhe.
“Kjo tregon se ka një solidaritet të anëtarësisë së PD-së ndaj asaj që thotë lideri aktual i saj. Zgjedhjet e 25 prillit u vodhën, kishim të bënim me një masakër elektorale dhe pjesëmarrja e madhe tregon se këtë mendon pikërisht edhe anëtarësia e PD-së”, tha Xhaferaj.

Ai theksoi se PD nuk humbi në Durrës, por zgjedhjet u manipuluan duke dhënë edhe fakte për këtë.
“Nga 25 marsi deri në fund të prillit, Këshilli Bashkiak i Durrësit shpërndau 10 milionë euro për 3 500 familje të dëmtuara nga tërmeti. Neni 91 i Kodit Zgjedhor e ndalon këtë pasi kështu, partia në pushtet ndikon drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve. Tërmeti ndodhi në nëntor 2019, ata tani u kujtuan të shpërndajnë dëmshpërblimet?”, pyet Xhaferaj duke shtuar se një mandat i opozitës në qarkun e Durrësit u humb për shumë pak vota dhe prishja e garës nga PS përmes shpërndarjes së këtyre parave ishte pikërisht ajo që ndikoi drejtpërdrejt në rezultat.


Shtuar 8.06.2021 12:52