Dhoma e lartë e parlamentit rus, Këshilli i Federatës, ka miratuar një projekt-ligj që do të ndalojë mbështetësit dhe anëtarët e organizatave të caktuara si “ekstremiste” të konkurrojnë në zgjedhje, një veprim që e bën praktikisht të pamundur për këdo që është i lidhur me politikanin e burgosur të opozitës Alexey Navalny për të fituar poste publike.
Sipas projektligjit të miratuar të mërkurën, udhëheqësit dhe themeluesit e organizatave të deklaruara ekstremiste ose terroriste nga gjykatat e Rusisë nuk do të kenë të drejtë të kandidojnë për postet e zgjedhura për një periudhë pesë vjeçare.
Anëtarët ose punonjësit e tjerë të organizatave të tilla do të përballen me një ndalim tre-vjeçar.
Legjislacioni duhet të marrë nënshkrimin e Presidentit Vladimir Putin, i cili pritet ta bëjë një gjë të tillë.
Masa shihet si një përpjekje për të neutralizuar Fondacionin Antikorrupsion të Navalnit (FBK), të cilin autoritetet po përpiqen ta shpallin organizatë “ekstremiste” përpara zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.
FBK tashmë është shpallur një “agjent i huaj”, një emërtim ndëshkues bazuar në një ligj tjetër.
Ligji duket të jetë i zbatueshëm në mënyrë retroaktive, pasi ai përfshin vetëm kufizimin e të drejtave të një personi, thonë analistët ligjorë.
Autoritetet ruse kanë rritur presionin e tyre ndaj anëtarëve të opozitës përpara zgjedhjeve të shtatorit, me sondazhet e opinionit që tregojnë mbështetjen për partinë qeverisëse Rusia e Bashkuar rreth niveleve më të ulëta ndonjëherë.
Qendra rajonale e Navalnit ka qenë aktive në zbatimin e strategjisë së “votimit të zgjuar”, e krijuar për të promovuar kandidatët që kanë më shumë gjasa për të mposhtur rivalët nga Rusia e Bashkuar në zgjedhje të ndryshme.
Navalny, kritiku më i zëshëm i Putinit, aktualisht po vuan një dënim me burg për akuzat e evazionit financiar që ai thotë se ishin shpikur për shkak të aktivitetit të tij politik.
44-vjeçari ka qenë në paraburgim që nga janari, kur u kthye në Rusi pas një trajtimi mjekësor disa javësh në Gjermani për një helmim nga agjentët nervorë në gusht të vitit të kaluar që ai tha se ishte kryer nga operativët e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) me urdhër të Putinit. Kremlini ka mohuar përfshirjen në helmimin e zotit Navalni.
Që nga burgosja e tij, Kremlini ka intensifikuar fushatën kundër Navalnit dhe bashkëpunëtorëve të tij, shumë prej të cilëve kanë braktisur vendin nga frika e arrestimit. /VOA