Interi në bisedime të avancuara me Piotr Zielinskin, dalin detajet e kontratës

Interi e ka vendosur veten në ‘pole position’ për të siguruar shërbimet e mesfushorit polak Piotr Zielinskit për sezonin e ardhshëm.

Në këtë pikë të negociatave, zikaltërit janë përpara edhe vetë Napolit, duke qenë se lojtari tashmë duket i prirur të mos rinovojë kontratën me napolitanët e cila i skadon në fund të sezonit.

Calciomercato ka raportuar se Neroazzurët janë të parët në mendjen e Zielinskit, para Napolit, Juventusit dhe Romës që gjithashtu duan të nënshkruajnë me të.

Baza e marrëveshjes është tashmë aty: Interi dhe Zielinski po mendojnë për një marrëveshje që do të parashikonte një kontratë katër vjeçare, ndoshta 3+1, me një pagë të pritshme prej rreth 4.5 milionë euro në sezon plus çdo bonus për objektivat e arritur.

Diskutimet kanë avancuar dhe deri më sot asnjë ekip në Itali dhe Evropë nuk duket se ka ndërmarrë të njëjtat hapa si klubi zikaltër.

Napoli ende nuk ka hequr dorë, por nuk e kanë ndërmend t’i ofrojnë pagën që i ka ofruar Interi mesfushorit polak.

29-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 22 ndeshje zyrtare ku ka realizuar tre gola dhe ka asistuar në tre të tjerë. /Telegrafi/


Shtuar 25.12.2023 13:20