Ronaldo akuzon Juventusin se i detyrohet 4 muaj rrogë të papaguar, në prill do të zhvillohet gjyqi

Dashuria mes Kristiano Ronaldos dhe Juventusit zgjati vetëm 3 sezone, por mesa duket ndarja ka qenë e ashpër, aspak e bukur dhe pritet të jetë edhe mjaft armiqësore në vazhdim. Kjo, pasi sulmuesi portugez pretendon se “zonja e vjetër” i detyrohet ende 4 muaj rrogë të papaguar, konkretisht atë të periudhës COVID-19, pas paktit të fshehtë me drejtuesit e klubit, konkretisht 19.9 milionë euro.

Por nga ana tjetër, nga Torino nënvizojnë se Ronaldo ka firmosur një dokument pas largimit të tij, i cili nënvizon se po prish një vit përpara kohe kontratën me bardhezinjtë, duke hequr dorë nga borxhi që Juventusi i detyrohej. Por Ronaldo nuk pranon që të ketë firmosur asnjë dokument dhe ka vendosur që paratë e tij t’ia kërkojë italianit me rrugë ligjore, teksa mësohet se dje ka dorëzuar dosjen e plotë të mbrojtjes së tij në arbitrazh.

Kjo do të thotë se secila nga palët, tashmë që ka mbledhur të gjitha faktet dhe provat për të fituar çështjen, do të kenë një duel final. Dueli mendohet se do të ndodhë në muajin prill të vitit të ardhshëm, një gjyq i cili do të tregojë nëse Kristiano Ronaldo do t’i fitojë këto para apo jo nga Juventusi.


Shtuar 21.12.2023 18:09