Mbajtja e Qynos në SPAK / Federata Europiane e Gazetarëve: Shqipëria, vend i rrezikshëm për gazetarët!

Sekretari i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez ka reaguar për kontrollin e SPAK në shtëpinë e gazetarit Elton Qyno dhe sekuestrimin e celularëve të tij. “Ky është një sulm ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së gazetarëve për të mbrojtur konfidencialitetin e burimeve të tyre. SPAK po përpiqet të zbulojë se kush qëndron pas rrjedhjeve të informacionit. Në vend që të hetojë prokurorët dhe hetuesit e vet, ajo po shkel standardet ligjore për mbrojtjen e burimeve gazetareske duke u kërkuar gazetarëve të zbulojnë burimet e tyre” shprehet Gutierrez që shpreh solidaritetin me Qynon dhe u bën “thirrje autoriteteve të respektojnë parimet evropiane të mbrojtjes së burimeve dhe lirisë së shtypit”. “Shqipëria mbetet një vend i rrezikshëm për të qenë gazetar” u shpreh Gutierrez..

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mori në pyetje gazetarin e TV Ora Neës, Elton Qyno për disa orë duke i kërkuar të zbulonte burimet e tij për bisedat e përgjuara të SKY ECC të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Më 13 dhjetor 2023, Qyno u ftua nga dy hetues për të nënshkruar një deklaratë se nuk do të publikonte asnjë informacion ose dokument konfidencial lidhur me hetimin e “Çështjes 75”. Qyno nënshkroi deklaratën dhe u zotua të mos publikojë asnjë informacion nga hetimet në vazhdim të kësaj çështjeje. Megjithatë, ndërsa takimi po zhvillohej, atij iu kërkua të zbulonte burimet e informacionit të tij dhe kur refuzoi ta bënte këtë, SPAK siguroi urdhrat e gjykatës në më pak se dy orë për të bastisur shtëpinë dhe vendin e tij të punës dhe për t’i sekuestruar punën e tij dhe pajisjet e familjes. Makina e tij private u sekuestrua pa vendim gjykate.

Pasi u kontaktua nga gazetarët, prokurori i SPAK-ut Bujar Dibra konfirmoi për BIRN Albania (reporter.al) se i kërkoi Qynos burimin e informacionit: “Po, është pyetur për burimin. Ai nuk e zbuloi burimin. Hetimet do të vazhdojnë në forma të tjera për të kuptuar se kush ka shkelur sekretin e hetimit”.

Pas reagimeve të shumta të publikut, SPAK-u të nesërmen doli me një deklaratë ku thoshte se kishin intervistuar Qyno-n për të kuptuar se si i siguronte informacionet që publikonte.

Ndërkohë që Qyno po intervistohej nga prokurori dhe hetuesit, SPAK depozitoi tre kërkesa pranë Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë për t’i lejuar ata të kontrollonin shtëpinë e tij, vendin e tij të punës dhe sekuestrimin e të dhënave kompjuterike dhe provave të tjera në vendin e tij të punës dhe banesën e tij private që do të çojë në identifikimin e burimeve.

Të tre urdhrat e gjykatës janë lëshuar në të njëjtën ditë në harkun kohor prej një ore e gjysmë. Vendimi i parë është dhënë në orën 14:20, i dyti është dhënë në orën 15:15 dhe i treti është dhënë në orën 15:55. Sipas të dhënave të SPAK-ut, atij i kanë konfiskuar kompjuterin, celularët, çelësin e makinës, USB, zarfe me dokumente dhe CD. Sapo u siguruan urdhrat, SPAK kaloi pasditen deri në mesnatë duke kontrolluar dhe sekuestruar materiale. Çelësi i makinës së tij iu kthye më vonë. Më 18 dhjetor 2023, avokati i Qyno-s, Dorian Matlija, apeloi urdhrin për sekuestrim në Gjykatën Speciale të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Urdhrat e gjykatës për kontrollin e zyrës dhe shtëpisë nuk janë të ankimueshme në gjykatë.

Në ankimin e tij, avokati argumentoi se prokurori duhet të kishte përdorur mënyra alternative për të hetuar personat që nxirrnin informacion nga SPAK, urdhri ishte shumë i gjerë dhe i lejonte SPAK-ut të kuptonte të gjitha burimet e tjera të gazetarit dhe urdhri nuk i mundësonte gazetarit të ishte i pranishëm. ndërkohë që të dhënat janë duke u sekuestruar nga pajisjet. Në një çështje të mëparshme lidhur me mbrojtjen e burimeve dhe materialeve gazetareske të Lapsi.al, Gjykata e Lartë vendosi një sërë kriteresh që duhen plotësuar përpara se të jepen urdhra të tillë. Avokati thotë se urdhrat e shkallës së parë janë në kundërshtim me standardet e vendosura nga Gjykata e Lartë për mbrojtjen e burimeve dhe materialeve gazetareske.


Shtuar 21.12.2023 18:00