Britania e Madhe dhe Gjermania bëjnë thirrje për armëpushim në Gaza

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron dhe homologia gjermane, Annalena Baerbock, kanë bërë thirrje për një “armëpushim të qëndrueshëm” në Gaza, por nuk kërkuan një “armëpushim të menjëhershëm”.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të hapur rrugën drejt një armëpushimi të qëndrueshëm, duke çuar në një paqe të qëndrueshme. Sa më shpejt të vijë, aq më mirë – nevoja është urgjente”, shkruan dy ministra në një artikull të përbashkët të Sunday Times në MB të botuar të shtunën, duke shtuar se “shumë civilë janë vrarë”.

Në artikull, as Cameron dhe as Baerbock, nuk besojnë se thirrja për një “armëpushim të përgjithshëm dhe të menjëhershëm” është “rruga përpara”. Një armëpushim i menjëhershëm “injoron pse Izraeli është i detyruar të mbrohet”, shprehen politikanët.

“Hamasi sulmoi barbarisht Izraelin dhe ende gjuan raketa për të vrarë qytetarët izraelitë çdo ditë. Hamasi duhet të dorëzojë armët. Lënia e Hamasit në pushtet në Gaza do të ishte pengesë e përhershme në rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete. Një armëpushim i paqëndrueshëm, i cili shpejt do të shembet në dhunë të mëtejshme, vetëm sa do ta vështirësonte ndërtimin e besimit të nevojshëm për paqen”, shtuan politikanët.


Shtuar 17.12.2023 08:36