Biznesmeni i suksesshëm që u bë oligarku i shëndetësisë për 300 mijë arsye

Gazetari Ermal Mulosmani në një shkrim me titullin “Ku ndryshon Top Channel nga Emiljano Shullazi?” paralajmëronte se televizioni kombëtar, përmes emisionit Inside Story, po shantazhon biznesmenin e fushës së shëndetësisë Klodian Allajbeu.

Kanë kaluar vetëm dy ditë nga shkrimi dhe si për të përligjur paralajmërimin e Mulosmanit, Top Channel njoftoi këtë të hënë se emisioni i radhës i Inside Story do të ketë titullin “Oligarku i Shëndetësisë.” Është e qartë se bëhet fjalë për Klodian Allajbeun, pronarin e Spitalit Amerikan.

I njëjti biznesmen, të cilin vetëm pak kohë më parë i njëjti televizion na e shfaqte si histori suksesi.

Trajtimi i degradimit të sektorit shëndetësor në media është një e mirë publike. Investigimet që tregojnë korrupsionin galopant në këtë sektor po ashtu i shërbëjnë interesit publik. Por a është ky rasti?

A është nisur me të vërtetë emisioni nga interesi publik për të investiguar padrejtësitë dhe korrupsionin në sektorin e shëndetësisë? Ne këtë nuk e dimë.

Por të sigurtë dimë se Nadir Causholli për shumë kohë ishte një kriminel që kishte korruptuar gjithë sistemin e shëndetësisë. Dhe befas një ditë u shndërrua në një nga biznesmenët më model në fushën e shëndetësisë. Për 250 mijë arsye.

Dimë se inceneratori rriti jetëgjatësinë e banorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Thonë për 8 milionë e gjysmë arsye.

Se AZHBR është një institucion i zhytur në korrupsion. Sipas aplikimit që publikoi Kryeministri për 120 mijë arsye.

Të gjitha këto i kemi mësuar nga investigimet e të njëjtit emision.

Tashmë do mësojmë dhe bëmat e Oligarkut të Shëndetësisë. Këtë herë- thonë- për 300 mijë arsye. Në vit, në vit. Jo one-off.

Dimë dhe një gjë të fundit. Sot shantazhi mediatik është biznesi më fitimprurës në Shqipëri. Me normë fitimi më të lartë se tregtia e kokainës dhe normë taksimi më të ulët se hotelet me 5 yje.

Tashmë na mbetet vetëm të mësojmë edhe dicka tjetër. A do të bëhet sërish “Oligarku i shëndetësisë” Klodian Allajbeu biznesmen model? Apo do të refuzojë t’u përgjigjet 300 mijë arsyeve? Mbani frymën miq. Sfida ka nisur.Kapitali .al


Shtuar 11.12.2023 19:05