Rama: Prishni vetë çka keni ndërtuar pa leje, para se të jetë vonë

Kryeministri Edi Rama nga Shëngjini, ka njoftuar se javën e ardhshme nis aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në bregdet. Rama u ka bërë apel qytetarëve, duke iu thënë të shembin vetë çfarë kanë ndërtuar pa leje.

“Apeli për shkelësit është i thjeshtë: Prishni e pastroni vetë çka keni ndërtuar pa leje në dëm të pasurisë së popullit, sepse kur të përballeni me forcën e operacionit “Bregdeti Ynë”, do të jetë shumë vonë për ju”, shkruan Rama në Facebook.

Ndërsa në mesazhin e tij ai tha: “Ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë punë edhe për një arsye tjetër, sepse operacioni fillon të hënën e ardhshme. Dua t’ua përcjell mesazhin të gjithë atyre që janë në kushtet e shkeljes së rëndë të ligjit, të lexojnë Kodin penal, dhe menjëherë të marrin masa tani, se do jetë vonë deri të hënën, për t’iu shmangur përballjes. Të lexojnë kodin se çfarë i pret në momentin kur konstatohet shkelja dhe kur duhet të ballafaqohen me ligjin. E dyta, unë dua t’ua bëj shumë të qartë gjithë zinxhirit që përfshihet në këto ndërtime, që nga punëtorët e thjeshtë, që me Kodin Penal janë të gjithë pjesë e fajësisë dhe përgjegjësisë. Të gjithë do të ndalohen e penalizohen. E treta dhe më e rëndësishmja është se kjo është pasuria më e madhe që Zoti i ka dhënë këtij vendi. Kjo punë ka përgjegjësi. Unë dëshiroj nga sot këtu të jap një mesazh shumë të qartë për të gjithë ata cënues të kësaj pasurie, të tërhiqen tani, për të filluar të hequr atë që kanë bërë. Në cdo lloj situate që do të jetë ndërtesa, do të shembet, madje do të ketë edhe pasoja. Kush nuk do t’i pastrojë vetë inertet, do të paguajë rëndë edhe për këtë”./albeu.com

Lexo edhe: Çuçi: Javën e ardhshme nisin shembjet e ndërtimeve pa leje në bregdet dhe rreth rrugëve nacionale


Shtuar 1.06.2021 14:37