Dumani i bleu Breçanit telefonin “SKY”, Erzeni informonte Gërmizin për lëvizjet e policisë dhe përgjimet në terren

Gjatë kohës që Nuredin Dumani ishte në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj në Durrës, ai ka zhvilluar dy apo tre takime së bashku me Erzen Breçanin dhe Bujar Ajetin alias Gërmizin.

Gërmizi kishte lidhje të ngushtë me Nuredin Dumanin, por pjesë e shoqërisë është bërë dhe Erzen Breçani. Vetë Dumani ka treguar në dëshminë e tij të dhënë në 17 Tetor 2023, se Erzenin e ka takuar dhe ishte Erzeni që njoftonte për praninë e forcave të policisë në Kukës.

Qëllimi i informimit të Erzenit ishte në mënyrë që Nuredin Dumani të mos kapej nga policia. Ndërsa nga ana tjetër vete Erzeni dilte në studio televizive dhe fliste për situatat kriminale të krijuara nga vetë Nuredin Dumani.

Më 17 gusht 2020 në orën 12:41:14 Nuredin Dumani komunikon me Bujar Gërmizin dhe pasi është vënë në dijeni që telefonin do e marri Erzen Breçani, i dërgon edhe kodin e hapjes të telefonit si dhe kodin e hapjes së aplikacionit SkyEÇ.

Ai dërgon mesazhet: “Ok…Ta gëzojn. Kodin e ko “Cimicimi”… Dhe të parin dhe dytin…Qa bone…”

Ky fakt, mbështetet edhe në deklarimin e Nuredin Dumanit, të dhënë në datën 17 tetor 2023 ku ndër tjera ai deklaron se:

“…dua të shtoj, duke qenë se Erzeni kishte informacion nga policia në lidhje me aksionet që bënte policia. Bujari më kërkoi që ti jepja një telefon me SkyEÇ Erzenit që të na informonte për lëvizjet që do bënte policia për llogarinë time. Unë bleva 3 telefona me SkyEÇ dhe njërin ja kam dhënë në prani të Bujarit, shtetasit Erzen Breçanit. Periudhën nuk e kujtoj se kur ja kam dhënë telefonin Erzenit. Me Erzenin unë nuk kisha kontakt në SkyEÇ, por ai kishte kontakt me Bujarin. Pagesën e telefonit e kisha bërë unë…”.

Më tej Dumani ka shpjeguar se:”…Po ashtu, kam takuar edhe Erzen Breçanin, 2 apo 3 herë në Kukës në një bar restorant në qendër të Kukësit. Erzeni ma sa më kishte fol Bujari, ishte shok i ngushtë i tij pasi kishin punuar edhe bashkë në polici në repartin RENEA. Erzeni e ndihmonte Bujarin me informacione në rastet kur policia vinte në Kukës për të arrestuar Bujarin apo persona të tjerë, pasi vetë Bujari ishte në kërkim për arratisie nga burgu në Maqedoni. Kujtoj një rast që Erzeni erdhi në Kukës shumë i shqetësuar, pasi i kishte rënë në dorë një përgjim i bërë i cili ishte në pronësi dhe në bisedën e përgjuar midis Bujar Ajetit (Gjermizit) dhe Erzen Breçanit edhe personave të tjerë, ishte përmendur emri i tij. Ky përgjim ishte bërë nga njësi operacionale e policisë së shtetit. Erzeni me Bujarin u s’qaruan dhe Erzeni i tregoi që e kishte s’qaruar si situate dhe i ka thënë Bujarit që mos të zhvillonim biseda tek bar “Stani” dhe në telefona pasi ishin në përgjim. Kjo rezultoi e vërtetë pasi disa ditë më vonë, Bujari ka kapur dy punonjës policie tek Bar “Stani” të cilët po vëzhgonin. Personat nuk ju prezantuan si policë, por Bujari i kuptoi pasi ato po hiqeshin sikur po shisnin një makinë në Kukës, ku vetë ishin nga Tirana. Bujari e pati qëlluar njërin prej tyre me shpullë….”.

Ky fakt i përmendur nga Nuredin Dumani, është i besueshëm pasi në mesazhin zanor të dërguar nga Bujar Ajeti me datë 19 shtator 2020 në orën 16:31:56 me përdoruesin V40080 përmendet një rast ku shtetasi Bujar Ajeti ka patur konflikt me disa persona që po hiqeshin sikur shisnin një mjet.


Shtuar 24.11.2023 09:04