Sfida e shtyrë ndaj Izraelit, Rrahmani humb sfidën e radhës kundër Empolit

Amir Rrahmani do të jetë në fushën me Napolin këtë mesjavë në Ligën e Kampioneve. Por mbrojtësi i klubit italian, do të mungojë në fundjavën e ardhshme për ndeshjen e Serisë A që klubi i tij luan ndaj Empolit.

Shkak për këtë mungesë është bërë fakti se do të luajë me përfaqësuesen e Kosovës, ku ai mban shiritin e kapitenit, në një ndeshje të shtyrë ndaj Izraelit.

Për shkak të situatës pas konfliktit në Lindjen e Mesme dhe mungesës së sigurisë për skuadrën izraelite, ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit e planifikuar të luhej më 15 tetor në Prishtinë, u shty nga UEFA. Kjo e fundit ka programuar sfidën pikërisht më 12 nëntor, në fundjavën e ardhshme.

Normalisht Rrahmani duhej të ishte atë ditë me Napolin në fushë ndaj Empolit dhe të shkonte vetëm të hënën tjetwr në grumbullim me Kosovën. Por UEFA i ka dhënë leje të veçantë futbollistëve të grumbulluar për këtë sfidë. Kështu, direkt pas sfidës së Ligës së Kampioneve ndaj Union Berlin, Rrahmani do të udhëtojë drejt Kosovës, për t’iu bashkuar përfaqësueses para ndeshjes me Izraelin.


Shtuar 7.11.2023 15:46