BE-ja do të rrisë ndihmat humanitare për Gazën me 25 milionë euro, njoftoi sot presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, duke folur në konferencën e Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve të BE-së në Bruksel.
“Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur civilët që mund të jenë në rrezik. Sot jam në gjendje të njoftoj se po rrisim më tej ndihmën humanitare për Gazën me 25 milionë euro të tjera”, tha von der Leyen, duke vënë në dukje se ndihma totale humanitare e BE-së për Gazën do të arrijë në 100 milionë euro.
Presidentja e Komisionit përsëriti se Izraeli ka të drejtë të mbrohet sipas ligjit ndërkombëtar dhe humanitar. Në të njëjtën kohë, argumentoi se BE-ja ka kredibilitetin për të paraqitur ide për një zgjidhje politike të bazuar në zgjidhjen me dy shtete.
Duke folur për Ukrainën, von der Leyen tha se duhet të sigurohet një “forcë e qëndrueshme ushtarake” e aftë për të mbrojtur vendin dhe shtoi se “mënyra më e mirë për t’i dhënë Ukrainës stabilitet dhe prosperitet në afat të mesëm dhe afatgjatë është anëtarësimi në BE”.