Thriller në aeroportin e Hamburgut, një turk i armatosur mban peng fëmijën e tij

Autoritetet gjermane janë alarmuar pas një raporti për sulm të armatosur në aeroportin e Hamburgut mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 20:00.

Një baba i armatosur ka mbajtur peng vajzën e tij 4-vjeçare që nga mbrëmja e së shtunës (4.11.2023). Mediat gjermane raportojnë se personi i armatosur është një burrë 35-vjeçar me origjinë turke nga Saksonia e Ulët.

Ai dyshohet se ka pasur një mosmarrëveshje për kujdestarinë me nënën e fëmijës dhe e ka rrëmbyer vajzën e vogël të shtunën pasdite.

Bild raporton se burri dëshiron të udhëtojë me të në Turqi me avion. Nëna kishte lajmëruar më herët policinë, duke denoncuar rrëmbimin e fëmijës. Burri qëlloi dy herë në ajër dhe hodhi një koktej molotov, tha një zëdhënës i policisë federale.

Trafiku ajror në aeroportin e Hamburgut  u ndal menjëherë, tha policia, ndërsa terminalet u mbyllën dhe dhjetëra fluturime u anuluan.

Policia tha se një psikolog po flet me burrin dhe nuk ka asnjë indikacion se ai mund të dëmtojë njerëz të tjerë.

“Ai dëshiron të flasë me ne dhe ne fillimisht po e vlerësojmë këtë si shumë pozitive”, tha policia për Bild.

Historia e ngjarjes

Bild raporton se burri ka hyrë në zonën përballë Terminalit 1 me një makinë pa targa. Ai depërtoi portën dhe filloi të lëvizte në drejtim të avionit duke qëlluar dhe hedhur dy kokteje molotovi.

Më pas ai u parkua pranë një avioni të Turkish Airlines plot me pasagjerë, të cilët zbritën pa lëndime. Për çdo rast, forcat zjarrfikëse kanë derdhur ujë në avion ndërsa kanë shuar menjëherë zjarret e vogla.


Shtuar 5.11.2023 07:48