I akuzuar për krime lufte në Kosovë, Mali i Zi refuzon të ekstradojë serbin

Qeveria e Malit të Zi ka refuzuar të enjten kërkesën e Kosovës për ekstradimin e një të dyshuari serb për krime lufte.

Ministri i Drejtësisë së Malit të Zi Marko Kovaç tha se kërkesa e Kosovës për të ekstraduar shtetasin serb Momçillo Vukotiq është refuzuar për shkak se autoritetet kosovare nuk kanë përfshirë në kërkesën e tyre veprat me të cilat ngarkohet i dyshuari.

“Në vendimin e Prokurorisë së Posaçme të Kosovës për fillimin e hetimeve, nuk thuhet se cilat veprime dyshohet se i ka kryer Vukotiq, të cilat janë pjesë e veprave penale, por vetëm thuhet se pas 24 vitesh është paraqitur një dëshmitar, i cili e ka njohur foton e tij në një album”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas Ministrit Kovaç, ministër i qeverisë në largim i kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazoviq, Kosova nuk ka përfillur nenin e tretë të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore me kërkesën e saj.

Policia malazeze arrestuan të dyshuarin Vukotiq, të akuzuar nga autoritetet në Kosovë për krime të luftës kundër popullatës civile në vitin 1999 në komunën e Pejës, gjatë një bastisje në Plavë dhe Beranë. Në një bastisje tjetër në Herceg Novi, organet e rendit në shtator kanë ndaluar edhe një të dyshuar tjetër për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë.

Dy të dyshuarit po mbahen në paraburgim me vendimin e Gjykatës së Lartë të Podgoricës./ VOA


Shtuar 26.10.2023 19:42