Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e ka konsideruar politik ngjarjen e ditëve të fundit, ku ndaj Sali Berishës është vendosur masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”, pasi akuzohet për korrupsion pasiv lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Ajo tha për Euronews, se në rastin e Berishës po shkelet Kushtetuta, gjë e cila sipas saj nuk ka ndodhur në 30 vitet e fundit.
Mes tjerash ajo nënvizoi se nuk ka asnjë provë që Berisha është i përfshirë në këtë aferë.
Topalli: Ngjarjet e fundit janë politike më shumë se sa juridike. Nëse ka një proces politik ndaj kryetarit të opozitës dhe një proces që fillon me shkeljen e Kushtetutës për të marrë autorizimin e Kuvendit, sigurisht që kjo është një alarm për opozitën dhe pluralizmin në tërësi. Në tre dekada nuk ka ndodhur asnjëherë që të mos zbatohet Kushtetuta në raport me atë që është garancia e çdo deputeti. Në fakt imuniteti është garanci për opozitën. Është garanci që ai të jetë i përfshirë në debate politike dhe të ketë kurajon për të thënë gjëra të rëndësishme dhe të mos ketë frikë nga kundërshtarë që përmes kërcënimit ta pengojnë ata që të bëjë detyrën për të cilën është zgjedhur. Nga ana tjetër nuk kemi parë asnjë provë. Akuza kryesore qëndron se kryetari i opozitës ka ndryshuar ligjin për pronat, gjë që ka qenë programi i tij politik për të cilën është miratuar. As në kohën e Enver Hoxhës kjo nuk ka ndodhur./Albeu.com