Emisioni “Në shënjestër” këtë të mërkurë u trajtua çështja e fondeve IPARD II të menaxhuara nga AZHBR, nisur nga pezullimi i fondeve BE dhe hetimet nga OLAF dhe SPAK për këtë çështjeje.
“Në shënjestër” ka intervistuar persona që kanë aplikuar, ekspertë si dhe ka analizuar të dhënat për kompanitë që kanë përfituar nga këto fonde.
Dokumentari, pjesa e dytë:
Por çfarë është programi IPARD II prej 94 milionë euro, dhe si AZHBR ua shpërndau, këtë grant, klubit të miqve të pushtetit?
Deri aty, duke i ndërruar edhe drejtimin fondeve, të cilat nga qëllimi për të ndihmuar fermerët e vëgjël dhe të mesëm, shkuan për bujtina dhe restorante, disa prej të cilave nuk u ndërtuan kurrë, te biznesmenët e oborrit të qeverisë.
Vetë programi IPARD, i iniciuar që nga viti 2018, supozohet se është një mbështetje financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së.
Të paktën ky është qëllimi i shkruar në letra, ku 75 përqind të këtij fondi e asiston Bashkimi Evropian dhe 25 përqind e mbulon qeveria shqiptare.
Pra, nga 94.6 milionë euro, 71 milionë euro vlerësohen se janë kontribut nga Komisioni Evropian dhe 23.6 milionë euro janë donacion nga shteti shqiptar.
Por ndërsa Shqipëria ishte bërë gati këtë vit të përfitonte grandin e tretë të projektit IPARD, Komisioni Evropian, në mënyrë jo edhe aq papritur, vendosi pezullimin e këtij projekti.
Në dyshimet për korrupsion me fondet e dhëna nga BE për bujqit dhe fermerët, dhe afera në shpërndarjen e tyre.
Duke pezulluar kështu, të paktën përkohësisht, grantin e tretë prej 146 milionë euro. Kjo edhe pas një hetimi që ndërmori OLAF, Zyra Evropiane kundër Mashtrimit.
Dyshime që mund të çojnë deri në pezullimin e programit IPARD III, ku ata që rrezikojnë të jenë më të humburit, janë fermerët e vërtetë, ata të cilët të vetmen mundësi që kanë për zhvillimin e tyre, janë këto fonde.
Por le të shikojmë me radhë kush janë disa nga përfituesit e këtij projekti dhe cila është lidhja e tyre me qeverinë aktuale. Elvis Roshi, dikur kryetar i Bashkisë së Kavajës në vitet 2011-2016.
Zyrtari që fshihte 5 emra, i cili u largua nga detyra pas zbulimit nga Prokuroria e Tiranës, të skedës së tij kriminale jashtë Shqipërisë. Kryebashkiaku, që pas të dhënave të mbërritura nga organet e drejtësisë në Zvicër dhe Itali, iu ndërpre mandati për shkak të falsifikimit të formularit të dekriminalizimit dhe fshehjes së një dënimi të dhënë nga drejtësia në Itali, për veprën penale të përdhunimit, të kryer në vitin 1995.
Roshi që më pas u dënua nga Gjykata e Tiranës me 60 orë punë në komunitet, për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit. Por që duket se ky dënim dhe këto precedentë penalë nuk e penguan aspak Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ti jepte dy grante të majme.
Pavarësisht se personat e dënuar për vepra të rënda penale e kanë të ndaluar të marrin fonde shtetërore apo të partnerëve evropianë. Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, edhe pse Roshi deri këtë kohë nuk njihej për pasionin e tij për bujqësinë, ai nuk e pati aspak të vështirë të përfitojë si fillim një grant të mirë nga AZHBR.
Nga ekstraktet rezulton se në vitin 2019, ai ka themeluar kompaninë ‘Kavaljon’. Dhe po në këtë vit ai ka aplikuar në AZHBR, në programin IPARD, ku fillimisht ka fituar një grant prej 70.189 euro, me qëllim ndërtimin e një sere diellore. Fill pasi fitoi këtë grant ai aplikoi sërish në AZHBR, dhe mori në vitin 2021 edhe një grant prej 180.309 euro.
Këtë herë me qëllim rikonstruksionin e një godine për transformimin në bujtinë, por ndryshe nga sa përfitoi fondet, Roshi dikur ish-benjamini i kryeministrit Rama, duket se nuk i përdori fondet për qëllimet për të cilat i kishte marrë.
Shpejt AZHBR, do t’i kërkonte kthimin e shumës totale prej 250.487 euro, por ish-kryebashkiaku edhe më sot nuk e ka kryer kthimin e tyre. Por Elvis Roshi, nuk është zyrtari i vetëm i lidhur me pushtetin aktual, që përfitoi nga grantet e BE-së për fermerët….
Xheni Gjikuria, administratore e kompanisë, ‘Coast to Coast’ përfitoi rreth 204 mijë euro grant për restaurimin e 5 banesave në fshatin Dhërmi, të cilat do ti shndrronte në bujtina. Gjikuria është bashkëshortja e Florenc Gjikurisë, një biznesmen i njohur, qe e krijoi kompaninë në vitin 2009 bashkë me Jorgji Rucin.
Kompani që ka ndryshuar disa herë aksionerë por që tashmë zotërohet në masën 100 për qind nga Xheni Gjikuria.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural i ka kërkuar kompanisë ‘Coast to Coast’, të kthejë paratë e përfituara, por kompania ka refuzuar.
Ndaj për këtë arsye AZHBR i është drejtuar gjykatës me qëllim marrjen mbrapsht të parave.
Mënyrë kjo mesa duket për të minimizuar përmasat e skandalit. Që tashmë po hetohet nga SPAK, jo vetëm pas raportit final të OLAF që ka në duar Prokuroria e Posaçme, por edhe pas kallëzimit të Nismës ‘Thurje’.
Ku AZHBR, konfirmoi për emisionin “Në Shënjestër” se u ka kërkuar kthimin mbrapsht të parave 17 personave apo subjekteve që kanë përfituar në shkelje, ndërsa në total janë evidentuar me problematika 82 përfitues.
Dyshimet se fondet e IPARD, u grabitën nga njerëz me të shkuar kriminale, është edhe fakti se nga 510 kompani që aplikuan në AZHBR, 126 kompani rezultojnë se i përkasin kësaj kategorie. Njerëz me të shkuar të errët, apo të lidhur me politikën, si edhe biznese të falimentuara dhe skema nepotike familjare përfitimi.
Ndërkohë që 50 prej tyre rezultojnë se janë krijuar pikërisht në vitet 2018-2021. Koha kur fillon dhe merr jetë edhe programi IPARD në Shqipëri.
Eduard Sharka:
Në disbursimin e fondeve të IPARD ka pasur korrupsion, këtë e ka vërtetuar hetimi i OLAF sepse OLAF bëri një vizitë blic në zyrat e AZHBR ka sekuestruar celularë dhe kompjutera dhe pa mbaruar hetimi kishin indicia që diktuan Komisionin Europian të mari masën e paprecedentë të pezullimeve të fondeve IPARD. Ministria e Bujqësisë u mundua ta kalonte si procedurë rutinë jo nuk është rutinë, është precedent i parë në Europë. Ka patur korrigjime të fondeve, ka patur rikthim, ka patur gabime në shumë shtete, por që Komisioni Europian të pezullojë disbursimin e fondeve IPARD është rasti i parë.
Ish-kreu i Sindikatës së Fermerëve, Eduard Sharka, thotë më tej për emisionin ‘Në Shënjestër’, duke renditur arsyet, se fermerët e vërtetë, ata që janë të regjistruar, e kanë thuajse të pamundur të përfitojnë nga skema e IPARD.
Ndërkohë që të vetmit që kanë përfituar janë kompanitë e mëdha të biznesit të lidhura edhe me pushtetin.
Ndërsa qëllimi i IPARD është të ndihmojë fermerin e vogël dhe atë të mesëm.
Në dijeninë tuaj, nga eksperienca cilat janë problemet me IPARD
Eduard Sharka:
Në rast se do definonim me termin fermer, bujqit që janë paisur me nipt fermeri, që janë bujq të vegjël dhe të mesëm në lidhje me përfitimet nga skemat IPARD do të thosha që ligjërisht është e pamundur sepse që të aplikosh në skemat IPARD nuk mund të aplikosh me NIPT fermeri.
Po marr një shembull për ta kuptuar më qartë. Në rast se një bujk apo fermer ka 5 dylym sera primitive edhe do që të bëjë sera bashkëkohore sepse janë të dosmosdoshme për të krijuar product më të mirë dhe qëllimi I fondeve IPARD është që të rrisë standardin e produketeve shqiptare, ti afrojë drejt standardeve europiane dhe për ndërtimin e serave është një nga masat që financohen nga programi IPARD. Ai fermeri, duhet të shkojë…është i paisur me NIPT fermeri, por nuk vlen, duhet të shkojë të paiset me NIPT tregtar në QKR. Ndryshimet në këtë moment janë: ai duhet të paguajë sigurime shoqërore që fermeri i ka facultative, ai duhet të paguajë kosto administrative për NIPT tregtar…. Pra 70.000 që janë paisur me NIPT fermeri ligjërisht e kanë të pamundur të aplikojnë me skemat IPARD.
Në skemat IPARD aplikojnë vetëm ata që janë paisur me NIPT tregtar dhe kjo ka përjashtuar fermerët e vegjël dhe të mesëm nga përfitimet nga këto fonde.
Por lidhjet e përfituesve të IPARD me pushtetin, janë nga të dyja krahët e politikës. Sipas portalit amphora.al, Libonike Nurellari, dikur ishte një këshilltare bashkiake në Bashkinë Poliçan, për Partinë Demokratike, e cila që prej vitit 2006 merret me vreshtari dhe tregtimin e verës.
Në Programin IPARD ajo rezulton se mban rekordin e granteve të përfituara, me 4 projekte të mbështetura, me vlerë totale 383.185 euro. Duke u cilësuar një rekord më vete, përsa i përket përfitimit të këtyre granteve.
Por ish-kreu i Sindikatës së Fermerëve, zbulon edhe një tjetër skemë zhvatje, me fondet e IPARD.
Atë nëpërmjet zyrave të konsulencave, që sipas tij nuk janë askush tjetër, përveçse zyrtarë të AZHBR-së.
Eduard Sharka:
E para ju keni dëgjuar në media ka qenë publike që kanë përfunduar në gjykatë disa mashtrues që bënë rolin e sekserit për të përfituar fonde IPARD dhe kanë marrë me qindra mijra euro paradhënie nga sipërmarrës që donin të përfitonin nga këto fonde.
E dyta, në rast se do kishit mundur të verifikonit disa dosje të përfituesve në skemat IPARD atje do të gjeni fatura konsulence me 20% të vlerës se investimit që do të thotë në rast se investimi është 500.000 euro do të gjeni fatura konsulence me 100.000 euro. Këto zyra të lidhura me AZHBR përveç se merrnin këtë 20% e kanë marrë dhe të zbardhur në kuptimin… e kanë marrë në rrugë gjasme legjitime, por nuk ka shance, nuk gjen rast tjetër ne Evropë që fatura e konsulencës për të përfituar nga skema IPARD të jetë 20% e vlerës së financimeve apo vlerës së investimit. Që është një indicia që pot ë shikoni do gjeni lidhjet e këtyre studiove me punonjës të AZHBR apo me titullarë të Ministrisë së Bujqësisë.
Vladimir Çela është një fermer, i cili as nuk ka pasur mundësinë të aplikojë në programin IPARD.
Dhe kjo, jo se ai nuk ka dashur ta bëjë një gjë të tillë. As sepse ai nuk e do tokën. Por sepse procedurat dhe dokumentet që kërkohen janë të tilla, sa ai nuk do kishte kurrë mundësi të aplikonte.
Vladimir Çela, fermer
A ke aplikuar ndonjëherë për IPARD, pse nuk aplikon, cilat janë procedurat….
Jo nuk kemi aplikuar për arsye se duhen dokumentacione, koha nuk po na premton duhen bërë projekte gjëra, duhen financim nga vetë fermeri është 6o me 40%. Ne nuk i kemi aq të ardhura që ti japim.
Keni pasur dëshirë të aplikoni, përtej procedurës?
Dëshira është shumë e madhe sepse këto serat ne punojmë me shumë vështirësi se janë sera të vitit 85 dhe kam aq dëshirë që serat ti kem sa më të larta që të bëj prodhim sa më të mirë. Këtu prodhojmë me vështirësi të mëdhaja nga kushtet që është sera. Kam shumë dëshirë që të bëjë një serë, e kam endërr që të bëjë një serë të tillë po nuk e arrij dot që ta bëj.
Cilat janë vështirësitë?
Po duhen dokumentacione, duhen që të vesh nëpër zyra andej, do bësh projekte gjëra. Tani unë si fermer nuk ja dal dot se unë duhet të jem pranë bujqësisë këtu, ti shërbej bimës. Nuk mund të iki unë dhe të merrem me dokumentacione të le këtë, se kur të vij unë këtu ka problem të tjera pastaj bima. Kjo do shërbyer do vaditur do spërkatur, do pleruar. Me pak fjalë duket të jesh i pranishëm se duhet serat nga fryn era, Ka punët e veta bujqësia, ka procedurat e veta dhe nuk arrin dot se ka goxha procedura dokumentacioni çfarë kemi dëgjuar dhe nga të tjerët.
Çela është një fermer që jeton me tokën në zonën e Karbunarës në Lushnje. Dhe këtu nuk mund të thuash që toka nuk prodhon, apo se në fushën e Myzeqesë, të cilësuar dikur si hambari i Shqipërisë, nuk ka njerëz punëtorë. Nëse i shikoni këto toka djerrë, mos mendoni që këtu nuk ka fermerë. Apo njerëz punëtorë që nuk e duan tokën.
Mjafton të vish këtu, në këto toka, në fund të sezonit dhe të shikosh se si prodhimi hidhet kanaleve sepse nuk ka treg shitje, për të kuptuar se si fondet për bujqësinë, në Shqipëri, përfundojnë te një grusht shokësh të lidhur me pushtetin.
Kur e pyet Vladimirin, nëse di ndonjë fermer tjetër që ka përfituar nga grantet e IPARD, ai thotë gati me siguri se të paktën në zonën e tij, nuk njeh ndonjë të tillë.
Vladimir Çela:
Në zonën time dhe kudo po në zonën këtu ku jetoj unë në Karbunarë në mënyrë absolute asnjëri s’ka aplikuar dhe asnjëri s’ka fituar.
Nuk arrijnë dot. Mendimi është nuk arrijnë dot për arsye të procedurave dokumentacionit se asnjë fermer nuk mund të arrijë dot që të merret me dokumentacionin a tyre se ka goxha procedura çfarë kemi dëgjuar. Duhet goxha dokumentacion. Parregullsi? Si mund ta them parregullsi, përderisa një njeri nuk e merr mundimin të aplikojë do të thotë që është shanci 0. Nuk arrin të aplikojë. Unë ça di këtu në zonën time një fermer që të ketë aplikuar apo të ketë bërë një serë nga IPARD. Nuk di që të bredhësh këtë serë e ka bërë IPARDi
E dinë ata. Janë të verifikueshme kush e ka fituar, dihet se kush janë. Unë po ta kisha fituar unë, dihet që unë jam fermer prej 30 vitesh. Unë nuk kam përfituar dhe se kam marrë mundimin që të aplikoj.
Duhet që vetë shteti institucioni sipas zonave të na mbledhi e të thotë, po kush është fermer, filani… Kam 30 e kusur vite që merrem me bujqësi dhe këto sera janë të vitit 85 Dëshira dhe ëndrra ime është që të kem një sere modern që të prodhojë një prodhim sa më të mirë dhe sa më të bollshëm, Me këto kushte po prodhojmë po vështirësitë.
Sipas ekspertit të bujqësisë, Eduart Sharka. edhe vetë fermerët janë të bindur se ata nuk kanë asnjë mundësi për të përfituar nga këto grante.
Aq sa edhe ata, edhe pse e dinë që ndërprerja e fondeve të BE-së është në dëm të tyre, janë më të lumtur që këto grante të mos vazhdojnë, se sa të shpërndahen në këtë formë korruptive të deritanishme.
Eduard Sharka:
Unë doja t’ju jepja një opinion të fermerëve, mbas daljes së skandalit të abuzimit me fondet IPARD dhe mbas kontrollit të Komisionit Europian nëpërmjet zyrës së OLAF, fermerët thanë më mirë ti ndërpresin, pas vendimit të Komisionit që I pezulloi sepse ne s’kemi përfituar gjë. Flas për këtë target grup fermerësh që janë të pajisur me NIPT fermeri, sepse të përfitosh nga skemat IPARD duhet të jesh biznes duhet të shkosh në studio që japing konsulenca, duhet të bësh një plan biznesi 5-10.000 Euro. Procedura, një dosje për një fermer të vogël dhe të mesëm është e pamundur ta kompletojë.
Pra duhet shumë përgatitje?
Shpenzime edhe angari edhe është pothuajse e pamundur. Ka pasur abuzime me këto fonde. Unë do t’ju jap disa indicia që vërtetojnë: Por kur kanë kaluar afro 3 muaj nga pezullimi i fondeve të IPARD II, dëmi duket i konsiderueshëm.
Por a janë këto kompanitë e vetme përfituese në shkelje, apo ky është vetëm fillimi i hetimit të nisur nga SPAK?
Ajo që ngre dyshimin se fondet e IPARD, u grabitën është edhe faktin se nga 126 kompani të marra në analizë, 50 prej tyre rezultojnë se janë krijuar pikërisht në vitet 2018-2021. Koha midis fillimit të aplikimit të programit IPARD në Shqipëri dhe periudhës, kur zyra e OLAF në BE, nis hetimin për mashtrim me këto fonde.
Ndërsa të dhënat tregojnë se paratë e IPARD në pjesën më dërrmuese të tyre kanë shkuar te kompanitë e mëdha në treg.
Madje, ka raste kur subjekte të ndryshme kanë përfituar edhe 2 apo 3 grante nga fondet e BE-së.
Me çfarë padrejtësish dhe parregullsish janë përballur?
Eduard Sharka: Po marrim skemat IPARD që është një fond shumë i vogël, 30 milion euro në vit që shkojnë për skemat mbështetëse. Parimi i shpërndarjes së këtyre fondeve është kush aplikon i pari përfiton i pari.
NË 2022 APLIKUAN 6000 fermerë për të përfituar në blegtori dhe vija e kuqe ishte te numri 3000, fituan 3000 që aplikuan të parët.
Në skemën e naftës 15% dhe pse u shpallën fitues kishin aplikuar Brenda afatit, plotësonin kriteret por mbaroi fondi dhe nuk përfituan.
Ne si sindikatë kemi lobuar dhe kemi çuar disa projektligje që kaluan në komisionet parlamentare dhe u rrëzuan nga maxhoranca që ishin për të eliminuar këto handikape. Ne thjesht morëm praktikat më të mira të rajonit, morëm nga ligji për bujqësinë I Maqedonisë së Veriut dhe kërkuam që të inkorporoheshin në ligjin për bujqësinë të Shqipërisë për të hequr këtë parimin kush aplikon I pari përfiton I pari. Këto tavane dhe dysheme që kush ka mbi 10 gjethë përfiton dhe kush ka nën nuk përfiton, kush ka mbjell mbi 1 hektarë grurë përfiton kush mbjell nën 1 hektarë nuk përfiton që janë nivele që përjashton shumë fermerë nga përfitimi i mbështetjes shtetërore për bujqësinë.
Bujqësi pa ndihmën e shtetit është postulat botëror nuk ka në asnjë vend të botës.
Midis përfituesve të mëdhenj të fondeve të IPARD, janë dhe dy kompani lider në fushën e tregtimit të qumështit dhe të nënprodukteve të tyre.
Të cilat kanë përfituar respektivisht nga 924 mijë dhe 799 mijë euro grante.
Ku sipas ekspertëve, pjesën më të madhe të fondeve të përfituara e kanë marrë pikërisht këto kompani që janë të lidhura me pikat e grumbullimit dhe fabrikat e përpunimit të qumështit.
Ndërkohë që fermerët të cilët prodhojnë 95 përqind të qumështit në vend në fermat e vogla, pothuajse e kanë të pamundur të përfitojnë nga fondet e IPARD.
Por çfarë do të ndodhë me bujqësinë shqiptare dhe fermerët, në rast se Komisioni Evropian dhe BE në këtë rast, vendos përfundimisht të mbyllë rubinetin e fondeve të IPARD.
Si do të ndikojë kjo te fermerët?
Eduard Sharka: Në sektorin e bujqësisë është një dëm shumë i madh, ka qenë i vetmi financim për të ripërtëritur teknollogjinë apo për investime në bujqësi. Falë fondeve IPARD detyronte dhe qeverinë Shqiptare që të merrte pjesë me 25% të financimit në këto fonde sepse skemat e AZHBR janë skema kombëtare, janë një pikë ujë në oqean për sektorin e bujqësisë. Ndërkohë që standardi i Ballkanit është 3.5% shpenzime të buxhetit të shtetit shkojnë për mbështetjen e fermerëve në Shqipëri, në Shqipëri është 0.5%.
Këto fonde kanë qenë oksigjen për sistemin e bujqësisë pavarësisht se s’kanë përfunduar tek fermerët e vegjël dhe të mesëm, por si sektor kanë qenë i vetmi financim për investime. Tashmë fondet e IPARD dhe abuzimi me to kanë përfunduar në dyert e SPAK, që ka nisur një hetim mbi përgjegjësitë.
Ndërkohë që lëvizja e parë, mbi këtë skandal të përmasave të tilla, duket se ishte politike. Kur në muajin shtator kryeministri Edi Rama, largoi nga dikasteri i Bujqësisë, ministren Frida Krifca, e cila në vitet 2017-2021, ishte drejtuese e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Për ekspertin e bujqësisë, ky është vetëm fillimi i një hetimi që mund të marrë me vete shumë emra.
Vetë Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, nga foltorja e parlamentit, pak kohë para se të shkarkohej nga posti i Ministres së Bujqësisë, i quajti të pavenda akuzat për abuzim me fondet e IPARD II. Dhe se sipas saj, akuzat e opozitës për abuzimet me fondet e Bashkimit Evropian ishin një sulm ndaj sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë.
Për ekspertin e bujqësisë, Eduard Sharka, ky është vetëm fillimi i një hetimi që mund të marrë me vete shumë emra. Deri më tani hetimi i nisur nga BE, është ndalur në vitet 2014-2020.
Ku në mesin e kësaj periudhe, AZHBR është drejtuar nga Frida Krifca.
Eduard Sharka:
Për mua në këndvështrimin tim problemi më I madh I pezullimit të fondeve dhe këtij skandali dhe varet ku do përfundojë sepse raporti i OLAF është dorëzuar në SPAK dhe kjo ka qenë indicia që SPAK ka hapur hetimet për fondet IPARD ka dëmtuar shumë imazhin e Shqipërisë në përfitimin e fondeve IPA. Në kuadrin e fondeve IPA që për vitin 2021-2027 janë 14.4 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor, nuk do ndahen më siç janë ndarë me kuota për vendet përfituese, por do jenë në bazë të përformancave të vendit. Nga hetimi i OLAF ka rënë kredibiliteti i të gjithë institucioneve shqiptare të akredituara për disburcimin e fondeve IPARD.
Është dashur vite për të akredituar AZHBR si institucion për menaxhimin e fondeve të IPARD. Ka patur audite të brendshme dhe të jashtme, ka rënë koordinatori kombëtar sepse donacionet e Evropës para se të vijnë janë përcaktuar me detaje, një sërë hallkash kontrrolli për të ruajtur interesin financiar të taksapaguesve evropianë. Në Shqipëri kanë rënë të gjitha dhe humbja më e madhe është humbja e kredibilitetit të institucioneve për të distribuuar fondet në kuadrin e programit IPA.
Por pezullimi i fondeve të IPARD është vetëm fillimi i halleve të pambarimta të bujqësisë shqiptar. Që edhe pa këtë lajm aspak të këndshëm, ishte mjaftueshëm e lodhur nga problemet e veta. Sipas informacioneve të siguruara në rrugë zyrtare fillimisht OLAF, Zyra për Hetimin e Mashtrimit në BE, dorëzoi në muajin qershor 2020, një raport paraprak pranë Prokurorisë së Posaçme.Raporti i detajuar që fliste për abuzimet që ishin kryer me fondet e BE-së.
Por për më shumë se dy vite, SPAK dremiti mbi dosje dhe në finale, vendosi të shpallë moskompetencën dhe t’ja pasojë topin prokurorisë së Tiranës.
Kjo e fundit konfirmoi se mbi aktet e shpalljes së moskompetencës nga SPAK, kishte regjistruar një procedim penal në lidhje me programin IPARD II më 17 nëntor 2022.
PROKURORIA E TIRANËS
“Nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, moskompetenca është shpallur pasi kanë munguar elementët e veprave penale të korrupsionit pasiv, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Procedimi penal është regjistruar për akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal. “Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka persona të cilëve u është regjistruar emri në regjistrin e njoftimeve të veprës penale”.
Por teksa zhvillimet po bëhen gjithmonë e më interesante zyra e BE-së në Tiranë konfirmoi më 19 korrik, se i ka dorëzuar Komisionit Evropian, disa zbulime që kanë lidhje me dyshimet për korrupsion me fondet e saj për bujqësinë shqiptare.
Hetime të OLAF që çuan Komisionin Evropian që të ndërpresin për momentin lëvrimin e granteve, deri në marrjen e raportit përfundimtar të hetimit nga kjo zyrë.
Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II
Problemet e sektorit të bujqësisë në Shqipëri?
Eduard Sharka: Sektori i bujqësisë dhe në statistikat e fundit të INSTAT është me rënie. Në tremujorin e dytë të 2023 kishim 0.2% ulje të prodhimit bujqësor. Ne e kemi paralajmëruar, i kemi rënë trumpetave të alarmit prej vitesh. Kemi bërë protesta, ju e keni parë. Problemet kryesore janë në kuadrin makro, paraprakisht ju thashë që Shqipëria merr 0.5% të buxhetit, skema kombëtare e mbështetjes të fermerëve. Mesatarja e rajonit është 3.5% në Evropë është 5%. Në kuadrin e krizës globale të energjisë, ndryshe nga vendet e rajonit që rritën financimet për bujqësinë, në Shqipëri u ndoq politikë e gabuar fiskale, u vu 10% tvsh për imputet bujqësore, u hoq kompensimi.
Bujqësia shqiptare zhvillohet në formë kaotike, nuk ka ekuilibër, është një gafë e madhe e ministrisë së financave në lighin për tvsh, qarkullimi i brendshëm i produkteve bujqësore është mbi 80% informal sepse duhet të blesh me 0 te fermeri dhe ta shesësh me 20% tvsh te konsumatori. Është kthyer në tatim mbi xhiron, është precedent I vetëm në botë dhe kjo bën që të jetë informale. Pra të gjitha politikat janë të gabuara. Në Shqipëri për fat të keq mungon edhe strategjia kombëtare e zhvillimit të bujqësisë sepse po spati strategji kombëtare nuk mund të ngresh politika efikase për zhvillimin e këtij sektori.
Është thënë që e ardhmja e Shqipërisë është turizmi dhe bujqësia, por në sektorin e bujqësisë politikat kanë çuar në regres. Sot në bujqësi punon një brez që është mbi të 50tat dhe janë numërohen me gishtat e dorës të rinjtë që zgjedhin për të punuar në sektorin e bujqësisë sepse mungojnë incentivat.
Por ndërsa u ndesh me refuzimin e AZHBR, për ti mundësuar grantin që do ti shërbente për të rritur pemëtoren e tij në Ersekë, Romeo Nazarko, thotë se ai nuk hoqi dorë nga projekti i tij.
Por ai nuk ndihet aspak i lumtur që Komisioni Evropian pezulloi fondet e IPARD për fermerët.
Edhe pse mund të thuhet që ai ishte nismëtari I një kallëzimi që më pas do të kthehej në një hetim nga OLAF.
Çfarë po ndodh me tokën që ju morët me qera?
Romeo Nazarko: Tokën që unë mora me qera duke qenë se mora refuzim nga AZHBR kam filluar me shpenzimet e mia dhe po zhvilloj atë project që unë e kisha nisur në mënyrë private me fondet e mia, dmth nga 23 hektarë është arritur të mbillet një sipërfaqe me 4 hektarë që dhe ajo është pjesë e shpenzimeve 20.000 euro.
Si u ndjetë kur u dha lajmi që fondet u anuluan?
Dmth nuk është se u ndjeva mirë që fondet u anuluan, por dhe të ndjehesha mirë që fondet te shkonin te xhepat e personave të cilët nuk kishin asnjë kontribut për bujqësinë, kjo ishte prapë…më mirë të bllokohen për njëfarë kohe, të rishikohen pikat, gjë që të cilat janë të specifikuara qartë në udhëzuesin që është përgatitur në Bruksel dhe ky udhëzues nuk është vetëm në Shqipëri, ky është për të gjitha vendet e rajonit, i njëjti udhëzues qarkullon. Dmth sipas skualifikimit që më bënë mua kur thanë që referuar pikës 25 nuk ke dorëzuar kontratën e qerasë, unë e lexoj pikën 25 dhe thotë fotokopje e kontratës së qerasë, nuk më thotë e nënqerasë, fotokopje e kontratës së qerasë me një afat të paktën 10 vjeçar, unë e kam për 99 vjet, pas datës së aplikimit. Do të thotë AZHBR kërkon kontratëqeraje që unë e kam me Bashkinë Kolonjë. Nuk thotë Brukseli pastaj të merret me detajet, këto rregullohen me ligjet e çdo vendit të vet. Shqipëria paraqet deklaratë noteriale, një shtet tjetër thotë mund të bëhet dhe me vetdeklarim, dmth ka mënyra të ndryshme, por ti s’mund të dalësh nga korniza që ata kanë përcaktuar. Nqs ata thonë duhet kontratë qeraje, kontratë qeraje. Kjo kontratë qeraje është pjesë e dosjes.
Por pavarësisht korrupsionit dhe burokracive me të cilat është ndeshur ai dhe fermerët e tjerë në zyrat e shtetit shqiptar, Romeo Nazarko, thotë se nuk ka ndërmend të tërhiqet. Dhe as të largohet nga Shqipëria duke thënë se ky vend nuk bëhet.
Romeo Nazarko
Nëse ka diçka që doni ta shtoni vetë…
Të gjithë pak a shumë e dinë se ç’bëhet të AZHBR dhe unë e kisha të qartë para se të aplikoja, por mendova se mos dhe drejtësisht mund të përfitoj aty. E ndoqa këtë rruge, nuk fitova dhe do vazhdoj me investimet…të paktën ato 20.000 euro që I harxhova ti kisha hedhur në mënyrë private te parcelat, nuk do ishin 4 hektarë do ishin të paktën 10 hektarë.
Si ka qenë procesi i kërkimit të drejtësisë për ju?
I vështirë përsa i përket kohës që humbet se unë punoj, atje ku punoj kërkojnë material, unë shkel afatet te puna ime dhe sepse merrem me pjesën e AZHBR pastaj te pjesa e denoncimit unë nuk futem tek njerëzit që tremben se nuk është hera e parë që kam denoncuar
Çfarë ju motivon?
Unë jam një nga emigrantët e rikthyer në këtë vend që nuk kam vendosur të ri emigroj kështu që do luftoj këtu o do luftoj këtu ose do luftoj në këtë vend dmth luftë për përmirësim jetën time, jetën e fëmijëve te mi dhe në radhë të parë njëherë që fillon nga jeta dhe fëmijët se nëse ne do e lëmë këtu ata prapë e njëjta situatë do vazhdojë, ose do ikësh nga ky vend.Unë se kam në plan të iki të ri iki nga Shqipëria kështu që lufta është ajo që më shtyn.