Mario Mitaj “çmend” Europën, një nga 5 të rinjtë më të mirë të Euro 2024

Mbrojtësi i majtë i Kombëtares së Shqipërisë, Mario Mitaj është një nga yjet e talentuar te kuqezinjtë e drejtuar nga Sylvinho. 20-vjeçari është vlerësuar si një nga pesë lojtarët U-21 me performancën më të mirë në kualifikueset e Euro 2024, nga “WhoScored”, kompani statistikash në futboll.

Mitaj e nisi aventurën në këto kualifikuese nga stoli, në ndeshjen e parë të humbur 1-0 ndaj Polonisë. Mirëpo, ai e mori shpejt vendin në formacionin titullar dhe që nga ndeshja me Moldavinë, e dyta në grup, ai nuk e ka lëshuar vendin në krahun e majtë.

20-vjeçari ka luajtur pesë ndeshje radhazi dhe të pesta nga 90 minuta të plota. Madje ai ishte titullar edhe në miqësoren e të martës ku Shqipëria fitoi 2-0 ndaj Bullgarisë

Vlerësimi dhe besimi që Sylvinho ka për Mitajn është mëse i drejtë. Mbrojtësi tashmë është vlerësuar si një nga yjet e mëdhenj të rinj nën 21 vjeç të fushatës kualifikuese për Euro 2024.

“Global Watch Football” raporton se Mitaj, nga lojtarët e rinj që kanë luajtur më shumë se 250 minuta në kualifikuese, renditet në vendin e katërt (e ndan me Edouardo Camavinga) me një vlerësim prej 7.23 të vendosur nga “WhoSocred”.

Me Mitajn në lojë, Shqipëria ka arritur të mbajë tre herë portën të paprekur, dhe ka arritur katër fitore dhe një barazim, duke kryesuar grupin e saj kualifikues dhe është vetëm një hap larg kualifikimit në “Gjermani 2024”.

Në krye të listës së lojtarëve të rinj më të vlerësuar është ylli i Manchester United dhe Danimarkës, Rasmus Hojlund me notën 7.45. Ai ka realizuar 7 gola dhe 1 asistim në tetë ndeshje. Danezi ka qenë dy herë lojtari i ndeshjes dhe një herë i përzgjedhur në formacionin e javës nga UEFA.

Në vendin e dytë renditet Conor Bradley i Irlandës së Veriut. Mesfushoi i Liverpool vlerësohet me notën 7.33. Edhe pse ka luajtur vetëm tre ndeshje, të trija si titullar, ai ka pasur një vlerësim të lartë pas performancave të mira. Gjithashtu ka qenë një herë lojtari i ndeshjes.

Sulmuesi i Leipzig, Benjamin Sesko pozicionohet në vendin e tretë me notën 7.40. Ylli i ri i Sllovenisë ka luajtur shtatë ndeshje me kombëtaren e tij, të gjitha si titullar. Ai ka realizuar 4 gola dhe 2 asistime. Slloveni ka qenë një herë lojtari i ndeshjes, si dhe një herë i përzgjedhur në formacionin e javës nga UEFA.

Superylli i Real Madrid, Eduardo Camavinga vjen në pozitën e katërt me notën 7.23, po aq sa Mitaj. Mesfushori ka luajtur pesë ndeshje me Francën, tre prej të cilave si titullar. Tashmë nuk përbëjnë më lajm performancat e jashtëzakonshme të tij. Ai ka qenë i përzgjedhur një herë në formacionin e javës nga UEFA dhe një herë lojtari i ndeshjes.

 


Shtuar 18.10.2023 19:57