A ishte vërtet i dëmtuar Armando Broja? Çfarë “kërcet” mes Sylvinhos dhe yllit të kuqezinjve

Për fat të keq më duhet t’ju jap një lajm jo të mirë dhe t’ju them se Broja nuk do të luajë nesër. Ai ka një dëmtim, një problem… (hesht për disa sekonda)… (psherëtin)… Nuk e ndien që mund të luajë nesër. Ka pasur një bisedë mes doktorit tonë Sensina dhe mjekëve të Çelsit dhe mund t’ju them se lojtari nuk do të luajë. Nuk është stërvitur me ne as dje”, tha ndër të tjera Silvinjo një ditë para ndeshjes kundër Çekisë.

Mirëpo, për shkak të historisë që ka pasur Broja me Kombëtaren shqiptare, përplasjeve të vazhdueshme me ish-trajnerin Reja, disa nga më dyshuesit: ore Broja ishte vërtet i dëmtuar apo jo? Përgjigjja është PO. Sulmuesi ndiente vërtet një shqetësim dhe duke qenë se ai vjen pas një dëmtimi të gjatë dhe sfilitës, askush nuk ka dashur të rrezikojë. Por a është i kënaqur stafi me Brojën dhe mbi të gjitha me qasjen që ka ai ndaj ekipit? Burime të “Panorama Sport” bëjnë me dije se raporti nuk është si me pjesën tjetër të skuadrës. Dhe pikërisht për këtë, shumë gjëra do të varen nga ndeshjet në vazhdim.

PROBLEMET Mund të duken banale, por stafit nuk i ka pëlqyer që Broja ka prenotuar dhomë ngjitur me prindërit e tij në grumbullim. Rregull i brendshëm i stafit të Kombëtares që me sa duket vetëm nga ai është thyer. Së dyti, pranë stafit kuqezi ka zëra që ai nuk e ka pritur mirë lënien në stol. Silvinjo udhëtoi 10 ditë më parë drejt Londrës për t’i paraprirë kësaj situate dhe t’i shpjegonte Brojës që pavarësisht se ishte kthyer nga dëmtimi i gjatë, ai nuk mund ta fuste titullar për shkak se skuadra që fiton nuk ndryshohet. Burime bëjnë me dije se Silvinjo ia ka bërë të ditur se është shumë i rëndësishëm, por në këtë moment nuk mundet që të bëjë ndryshime. Mësohet se Broja nuk ka bërë polemika, por këto fjalë nuk i kanë shkaktuar lumturi, të cilën ai nuk ka ngurruar edhe ta vërë në dukje…

DILEMA PËR TË ARDHMEN Broja është një futbollist i jashtëzakonshëm që mund t’i shërbejë Shqipërisë për 12-13 vitet e ardhshme. Nuk e ka fshehur kurrë egon që ka dhe ndoshta për këtë arsye ka mbërritur në këto nivele. Opinioni publik, media dhe specialistët u rreshtuan krah tij kur Edi Reja nuk e aktivizonte, ndonëse ai ishte vendimtar në pak minuta që luante. Mirëpo situata tani ka ndryshuar dhe Broja, së pari, nuk mund të vërë në një peshore Silvinjon me Rejën. Ky i fundit nuk e aktivizonte titullar sepse nuk ishte i bindur, ndërsa braziliani nuk po e aktivizon sepse nuk mund të “cenojë” një skuadër që po e kualifikon Shqipërinë në mënyrë spektakolare në Europian. Në këtë këndvështrim është mirë që edhe Broja të respektojë jo vetëm vendimet e trajnerit, por të ketë një qasje më “tolerante” edhe kur nuk është i zgjedhur në formacion. Ai është talent absolut, por vendin askush nuk e ka me tapi…/panoramasport


Shtuar 14.10.2023 11:20