Nga bukëpjekës në “shtëpi bari”, burg për dy shqiptarët në Britani

Dy shtetas shqiptarë, të cilët u arrestuan nga autoritetet britanike teksa kultivonin kanabis brenda një rezidence në zonën e Windsor, janë dënuar me nga dy vite burg.

Shqiptarët Amarlid Nezha dhe Gridi Fatia jetonin ilegalisht në Britani dhe u arrestuan në flagrancë teksa kujdeseshin për një apartament me 10 dhoma në rajonin Berkshire.

Policia brenda banesës zbuloi 276 bimë me një vlerë prej 200,000 £, por prokurori i çështjes shpjegoi se sipërmarrja kriminale në një vit mund të gjeneronte fitime deri në 800,000 £.

Nezha dhe Fatia kishin paguar disa mijëra paund për të shkuar në Britaninë e Madhe dhe kishin punuar si bukëpjekës e në ndërtim, deri në momentin kur trafikantët i dërgonin të punonin si “kopshtarë”.

Gjyqtari, pasi dëgjoi akuzat dhe mbrojtjen, i dënoi dy shqiptarët me 24 muaj burg.

“Duke pasur parasysh natyrën e statusit tuaj në këtë vend, ka të ngjarë që në një fazë të deportoheni”, u tha ai të pandehurve./Albeu.com