Berisha me akuza të forta: Pëllumb Gjoka donte të emëronte kreun e SPAK

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka ngritur akuza se biznesmeni Pëllumb Gjoka, i arrestuar gjatë operacionit “Metamorfoza” për lidhje me krimin, donte të emëronte kreun e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion.

Berisha u shpreh se Pëllumb Gjoka ishte mik për kokë i kryeministrit Edi Rama.

“Do të ju jap një sugjerim. I lexoni me qetësi dhe reflektim transkriptimet e dosjes ‘Metamorfoza’ që botojnë media. Çfarë tregojnë ato. Tregojnë se strategjia e Edi Ramës, ‘hëngshin kokën e njëri tjetrit’ është bërë strategjik e shtetit. Nuk ka më kufi mes vrasësit të paguar, dorasit, hjekësit dhe shtetit.

Do të ju jap vetëm një fragment. Pëllumb Gjoka i thotë Behar Bajrit: Pyete atë nëndrejtorin pse më arrestoi mua djalin e xhaxhait. E kishte fjalën për grupe. Pyete kush e nxiti. Behari i përgjigjet: Po po do ta pyes dhe do ta fus në borxh rëndë. Do të thotë se do ti japë 1 mln.

Nëse kthehemi tek direktiva e atij që është krim-ministër që thotë ‘kokat ti hanë njëri-tjetrit’ nëndrejtori i Policisë së Shkodrës nuk po bën asgjë tjetër veç se po zbaton direktivën kryeministrore, po krijon mundësinë që ata të vrasin njëri tjetrin.

Por ata janë me lista. Dhe në atë listë që do të lexoni, nuk janë më. Kush ishte Pëllumb Gjoka? Pëllumb Gjoka ishte mik për kokë me Edi Ramën.

Tani do të ju them edhe një gjë. Pëllumb Gjoka po emëronte kryetarin e skapit. Po. Sepse Kondili që dërgoi dosjen e Bajrëve në Shkodër, bashkë me një tjetër, shpallën se këta nuk janë organizatë kriminale. Për Xhevahirin dihet, i çoi në Shkodër për ti liruar. Mori 1 mln euro. Po sa mori Kondili? E dinë kazinotë e Pëllumb Gjokës.

Kondilin të cilin badiguardi i Pëllumb Gjokës, sipas disa akuzave i rrinte mbrapa në kazino, për ti dhënë topat me euro, do të na dilte nga Edi Rama kryetar i skapit.

Ndaj them se kjo shoqëri, vegjeton, jeton, fle mbi krimin, zgjohet mbi krimin. Po pse të gjitha këto. Të gjitha këto kanë një raport fatal në themel dhe ky raport fatal është se krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim. Kurrë kjo nuk mund të ndodhte ndryshe.”, tha Berisha.


Shtuar 6.09.2023 12:00