Shmanget tragjedia në Shëngjin, shpëtohen dy adoleshentët që ngelën natën në mes të detit me Jet Ski

Shëngjin- Policia kufitare ka shpëtuar dy adoleshentë që rrezikonin të mbyteshin pasi mjeti i tyre lundrues Jet Ski pësoi defekt në mes të detit.

Pas më shumë se gjysmë ore kërkimi, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar rreth 5 milje larg, njërin nga shtetasit, i cili po tentonte të dilte në breg, me not, dhe më pas kanë lokalizuar drejtuesin e mjetit lundrues që kishte pësuar defekt.

“Mbrëmjen e djeshme, shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin kanë marrë njoftim se dy shtetas që ishin futur në det, me një mjet lundrues Jet Ski, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun”, nuk ishin kthyer në breg dhe kishin humbur kontaket me familjarët e tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Pas gjysmë ore kërkimi, është lokalizuar në det, rreth 5 milje larg nga bregu, 17-vjeçari (pasagjer i mjetit lundrues), i cili po tentonte të dilte në breg, me not, për të kërkuar ndihmë, pasi mjeti lundrues Jet Ski me të cilin po lundronte bashkë me shokun e tij, kishte pësuar defekt. Menjëherë, shërbimet e Policisë e kanë marrë 17-vjeçarin në mjetin e tyre lundrues dhe i kanë dhënë ndihmën e parë.

Më pas, shërbimet e Policisë Kufitare kanë lokalizuar 18-vjeçarin që kishte mbetur në det sepse mjeti lundrues Jet Ski që po drejtonte kishte pësuar defekt dhe rrezikonte të fundosej. Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë marrë në mjetin e tyre lundrues, 18-vjeçarin dhe i kanë dhënë ndihmën e parë.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë tërhequr në breg, mjetin lundrues Jet Ski që kishte pësuar defekt.

Të dy adoleshentët janë në gjendje të mirë shëndetësore.


Shtuar 21.08.2023 09:43