Nga Jacob Heilbrunn “Spectator World”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Gjëja më e habitshme nuk është se Donald Trump u padit për një akuzë të re. Por se përse u desh të kalonte kaq shumë kohë. Pasi Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland e zvarriti këtë çështje për 2 vite me radhë, këshilltari special Jack Smith po e kompenson kohën e humbur.
Ai ka hapur një çështje të re gjyqësore, duke e paditur Trumpin kurdo dhe kudo që të mundet. Lëvizja e fundit e Smith është një aktakuzë prej 45 faqesh që e akuzon Trumpin si përgjegjës për përpjekjen për të penguar “një funksion themelor të qeverisë amerikane: procesin e mbledhjes, numërimit dhe certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale nga vendi”.
Mbështetësit e Donald Trump po e përshkruajnë aktakuzën si një pjesë të re në përpjekjen e gjatë të Deep State për të parandaluar kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm. Aktakuza është sipas tyre një përpjekje e familjes Biden për të dëmtuar një luftëtar trim pse ka thënë për të vërtetën, dhe pse ka mbrojtur drejtësinë dhe mënyrën amerikane të jetesës.
Në fakt, zëdhënësi i Trump, Steven Cheung, iu referua një krahasimi me Gjermaninë naziste. Ndjekësit e Trump mund të revoltohen ndaj qëndrimit të ashpër të Smith ndaj ish-presidentit, por kjo nuk e trembi jurinë e madhe federale, e cila votoi për ta paditur ish-presidentin për 4 akuza, ku asnjëra prej të cilave nuk mund të jetë vërtet e papritur për opinionin publik.
Duket se një sërë ish-bashkëpunëtorësh të Trump, përfshirë nënpresidentin Mike Pence, i dhanë Smithit informacione kyçe mbi atë që po ndodhte në Shtëpinë e Bardhë të Trump gjatë ditëve të rrezikshme që çuan tek trazira e papredecentë e 6 janarit 2021.
Në fakt, duket se Pence bëri atë që Trump e urren: regjistroi bisedat midis tyre, ku Trump në mënyrë të alternuar e shante dhe kërcënonte Pence që të bënte gjënë e duhur, të paktën siç e shihte Trump. Pra, a do të kemi Ditën e Gjykimit në Distriktin e Kolumbias?
Një juri dhe një gjykatës që nuk ka kurrfarë simpatie për të nuk parashikojnë gjëra të mira për Trumpin. Dhe as mundësia që Pence dhe bashkëpunëtorët e tjerë të dëshmojnë në gjykatë kundër bosit të tyre të dikurshëm. Megjithatë, Trump ka disa mënyra për t’u mbrojtur.
Një linjë e qartë në këtë aspekt do të jetë argumentimi se ai me të vërtetë besonte se po e i rrëmbehej fitorja nga makinacionet e një Joe Biden të poshtër. Sipas këtij versioni të ngjarjeve, Donald Trump ishte viktima fatkeqe e një komploti dhe jo komplotues.
Natyrisht ky argument bie ndesh me refrenin e vazhdueshëm të Trump se Biden mezi arrin të lidhë këpucët e tij në mëngjes, e lëre më pastaj të drejtojë një komplot. Një tallje e rëndë që atëherë por edhe tani synon që ta denigrojë.
Po ashtu avokatët e tij mund të argumentojnë në gjyq se Trump thjesht nuk ishte në gjendje të krijonte dhe mbikëqyrte një komplot të madh që përfshin elektorët e rremë, të bënte përpjekje për të nënshtruar Kongresin apo drejtonte sulmin e turmës së mbështetësve ndaj tij ndaj Capitolit Hill.
Pra ata mund të thonë se një Trump mendjemadh vetëm sa po “mendonte me zë të lartë” kur u kërkoi votuesve të tij të shkonin në Capitol për të shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve. Disa keqkuptime mund të kenë shkuar shumë larg… por çfarë lidhje kishte kjo me abstragimet e presidentit?
Megjithatë, problemi për Trump është shumë bazik. Manovrat e tij nuk funksionuan në rastin e padisë që ai bëri ndaj gazetares Jean Carroll. Dhe kanë akoma më pak gjasa që të funksionojnë në një gjyq federal, ku durimi për veprimet e tij të njohura do të jetë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave.
Një gjyq do të ndihmojë në krijimin e mëtejshëm të një rekordi publik të veprimeve të tij të pakëndshme para dhe më 6 janar 2021, kur ai qartazi u përpoq që të mbante me forcë pushtetin e tij.
Ideja se duhej t’ia dorëzonte atë Joe Biden, një njeri të cilin e konsideronte shumë inferior ndaj vetes, që sipas tij u fsheh në një bodrum për pjesën më të madhe të fushatës, ishte më shumë se sa mund ta duronte. Ndërsa ai po bën fushatë për një mandat të ri si president – dhe me një aktakuzë të re të pritshme në Xhorxhia – Trump mund të zbulojë se mund të kandidojë, por nuk mund t’i fshihet përballjes me drejtësinë. /albeu.com