UEFA ka gjobitur Kroacinë për sjelljen e gabuar të tifozëve në duelet e “Final Four” në Nations League.
Kombëtarja ballkanike mposhti Holandën, por dështoi në finalen e madhe përballë Spanjës.
Të cilën e humbi me penallti. Shumë tifozë kroatë mbështetën djemtë e Dalic në duelet e luajtur në Holandë. Duke “pushtuar” stadiumin “De Kuip” të Roterdamit.
Pavarësisht pasionit të madh, ata e tepruan me veprimet e tyre në finale. Me anë të një komunikate zyrtare, qeveria europiane e futbollit ka njoftuar masat e marra ndaj Federatës Kroate të Futbollit.
“Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s, urdhëron Federatën Kroate të Futbollit të luajë ndeshjen e radhës në shtëpi, të vlefshme për një kompeticion të UEFA-s, me dyer të mbyllura.
Për më tepër, ajo ndalon Federatën Kroate të Futbollit që t’u shesë bileta tifozëve për ndeshjen e saj të radhës jashtë vendit në garat e UEFA-s.
Dhe gjobit Federatën Kroate të Futbollit me 70,000 € për sjellje diskriminuese nga tifozët e saj. Plus një gjobë prej 45,000 € për ndezjen e mjeteve piroteknike dhe 35,000 të tjera për hedhjen e sendeve në fushë”, thekson UEFA.
Dueli Kroaci-Letoni (8 shtator), i vlefshëm për eliminatoret e Euro 2024 – grupi D – do të zhvillohet pa praninë e tifozëve. Ndërkohë që këta të fundit nuk do të lejohen të mbështetin skuadrën e zemrës në transfertën e tri ditëve më vonë në Armeni.