Policia e KorçëS ka zbuluar një laborator për falsifikim të dokumenteve dhe stampave. Bëhet me dije se janë 3 të arrestuar të cilët e ushtronin këtë veprimtari kriminale, kundrejt pagesës 300-10000 euro. Ndërkohë që priten edhe arrestime të tjera.
Njëri nga tre të arrestuarit mësohet se ishte në përgjim pasi dyshohej se kryente një veprimtari të tillë të jashtëligjshme
Në laboratorin që ndodhej në banesën e njërit prej të arrestuarve janë sekuestruar dokumente të falsifikuara përfshirë këtu pasaporta dhe karta identiteti , shqiptare dhe të vendeve të BE.
Laboratori mësohet se ndodhej në qendër të qytetit të Korçës, ndërsa janë kryer kontrolle banesash dhe mjetesh që dispononin të arrestuarit.
Nga hetimet e kryera rezulton se këta shtetas në bashkëpunim mes tyre, kundrejt pagesave të konsiderueshme nga 300 euro deri në 10000 euro, prodhonin dhe ju shisnin personave të interesuar, shqiptarë dhe shtetas nga vendet e treta, dokumente shqiptare dhe të huaja, të falsifikuara, për të udhëtuar në hapsirën SCHENGEN, Shba, Kanada, Angli etj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi e konsiderueshme dokumentesh të huaja dhe shqiptare të dyshuara të falsifikuara (karta identiteti, pasaporta amerikane, franceze, greke, gjermane, bullgare, leje qendrimi, leje drejtimi, diploma shkolle); fotokopje dokumentesh të huaja; pajisje kompjuterike; makineri prodhimi dhe plastifikimi; vula, simbole, emblema të shteteve të huaja; automjete; shuma parash të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Njoftimi i policise
Korçë/Megaoperacion për goditjen e falsifikimit të dokumeneteve me qëllim parandalimin e migrimit të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe, ShBA-së,
Kanadasë dhe në hapsirën SCHENGEN.
Zbulohet dhe sekuestrohet një laborator që shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Finalizohet megaoperacioni policor i koduar “The counterfeiters”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, pas hetimeve 5-mujore.
Zbulohet dhe goditet një grup kriminal që prodhonte dhe pajiste me dokumente të falsifikuara udhëtimi, identifikimi, diplomimi, leje drejtimi dhe qendrimi, shtetas shqiptarë dhe të huaj për të udhëtuar në hapsirën SCHENGEN, Shba, Kanada, Angli etj.
Vihen në pranga 3 shtetas të cilët e ushtronin këtë veprimtari kriminale, kundrejt pagesës 300-10000 euro.
Sekuestrohen qindra dokumente të falsifikuara, fotokopje dokumentesh të huaja dhe shqiptare, të dyshuara të falsifikuara, pajisje kompjuterike, makineri prodhimi dhe plastifikimi, vula, simbole, emblema të shteteve të huaja, automjete, shuma parash të siguruara nga ky aktivitet.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e falsifikimit të dokumenteve, pas një hetimi 5-mujor, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se 3 shtetas ushtronin veprimtarinë kriminale në formën e grupit të strukturuar kriminal në qytetin e Korçës, organizuan dhe finalizuan megaoperacionin policor të koduar “The counterfeiters”.
Si rezultat i këtij operacioni, u ekzekutua vendimi i Gjykatës Korçë e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe u ndaluan shtetasit në kërkim:
– Th. Sh., 60 vjeç; B. D., 52 vjeç, banues në Korçë.
Gjithashtu po në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:
– A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e falsifikimit të dokumenteve.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të këtij operacioni në banesat e dy shtetasve Th. Sh. dhe B. D., dhe në automjetin e këtij të fundit, gjetën pajisje kompjuterike, makineri plastifikimi, fotokopje dokumentesh të huaja dhe një shumë parash.
Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. R., u zbulua një ambient i përshtatur si laborator për prodhimin e dokumenteve të ndryshme shqiptare dhe të huaja të falsifikuara.
Nga hetimet e kryera rezulton se këta shtetas në bashkëpunim mes tyre, kundrejt pagesave të konsiderueshme nga 300 euro deri në 10000 euro, prodhonin dhe ju shisnin personave të interesuar, shqiptarë dhe shtetas nga vendet e treta, dokumente shqiptare dhe të huaja, të falsifikuara, për të udhëtuar në hapsirën SCHENGEN, Shba, Kanada, Angli etj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi e konsiderueshme dokumentesh të huaja dhe shqiptare të dyshuara të falsifikuara (karta identiteti, pasaporta amerikane, franceze, greke, gjermane, bullgare, leje qendrimi, leje drejtimi, diploma shkolle); fotokopje dokumentesh të huaja; pajisje kompjuterike; makineri prodhimi dhe plastifikimi; vula, simbole, emblema të shteteve të huaja; automjete; shuma parash të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Megaoperaiconi vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./albeu.com/